Në teatrin e Kolegjit AAB “Faruk Begolli”, është mbajtur takimi përkujtimor në një vjetorin të shkuarjes në amshim të regjisores Burbuqe Berisha. Familjarët, miqtë e kolegët e Burbuqes, kujtuan me mall punën dhe angazhimin e madh që ajo ka bërë në sferën e kulturës, duke dhënë kontribute të pashlyeshme.
Motra e Burbuqes, Trëndelina Berisha, tha se ndihet krenare për sukseset që ajo ka shënuar dhe se si kujtohet vepra e jeta e saj pas një viti.
Miku i saj i afërt dhe aktori i njohur, Ilir Tafa, falënderoi për pjesëmarrje të pranishmit, duke thënë se kujtimet për miken e tij Buqen, kanë mbetur të pashlyeshme dhe secili në Kolegjin AAB mban në zemër një kujtim për të.
Shkurta Aliu, përfaqësuese e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, tha se humbja e Burbuqes ishte humbja e një figure shumë të rëndësishme të artit. Ajo shtoi se Ministria e Kulturës do angazhohet në maksimum që trashëgimia e saj të përcillet deri te gjeneratat e tjera me shumë krenari.
Regjisorja Burbuqe Berisha ishte themeluese dhe drejtoreshë e “Prishtina International Theater Festival” që mbahet në teatrot e Kolegjit AAB, ku për nder të kujtimit të saj në edicionin e gjashtë, festivali mbajti emrin e saj.