Doli nga shtypi numri më i ri i revistës shkencore ndërkombëtare “Thesis”, në të cilën dominojnë artikujt shkencorë që trajtojnë zhvillimet në Kosovë nga perspektiva e shkencave politike, ekonomike, strategjike, si dhe për qëndrimin europian ndaj statusit të Kosovës.
Dr. Bashkim Rrahmani i qaset temës për komplikimet që janë prodhuar nga qëndrimi neutral i BE-së ndaj çështjes së Kosovës. Punimi bën një analizë të ndërhyrjes së institucioneve të BE-së nëpër faza të ndryshme, përfshirë fazën e shpërbërjes së ish-federatës e deri pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Sipas autorit, qëndrimi neutral i BE-së ndaj statusit të Kosovës është me pasoja mjaft negative për shtetin e ri.
Një studim tjetër prek tendencën ruse për ndikimin e saj në Ballkan, nëpërmjet Serbisë si dhe ideja për prekjen e kufijve në Ballkan. Autorët Dr. Bejtush Gashi, njeherësh ministër i brendshëm i Kosovës, dhe autori Gurakuç Kuçi, trajtojnë “diplomacinë merimangë” si shpjegim plotësues i rrethanave të reja ndërkombëtare që lidhen me Kosovën. Autorët theksojnë se Serbia synon t’i marrë pikat strategjike nëpërmjet rishikimit të kufijve, ndërsa, sipas burimeve serbe, vija e tanishme kufitare me Kosovën është lëvizur për 600 hektarë.
Egzon Osmanaj në studimin e tij prek sfidat e konsolidimit të shtetësisë së Kosovës dhjetë vjet pas pavarësisë. Punimi argumenton se dialogu Kosovë-Serbi e ka dëmtuar shtetësinë e Kosovës nga brenda dhe e ka dobësuar atë në sferën e jashtme. Përderisa në aspektin e brendshëm, marrëveshjet e arritura në këtë dialog kanë përbërë një sfidë serioze për sistemin juridik dhe politik të Kosovës, në arenën ndërkombëtare, dialogu ka qenë një pengesë në rrugën e Kosovës drejt konsolidimit të shtetësisë së saj në marrëdhëniet ndërkombëtare. Dialogu i Brukselit, thuhet në këtë punim, është mjaft unik dhe i paprecedentë për literaturën e formimit dhe konsolidimit të shtetësisë për faktin se një shtet demokratik dhe sovran interferon, me ndihmën dhe përkrahjen e të gjithë aktorëve ndërkombëtarë, në organizimin dhe çështjet e brendshme të një shteti tjetër sovran dhe demokratik
Në këtë numër lexuesit gjithashtu mund të gjejën artikuj shkencore nga fusha e ekonomisë, sistemin administrativ të qyteteve të Kosovës sipas burimeve osmane etj.
Më gjerësisht për artikujt shkencorë të botuar në këtë revistë shkencore ndërkombëtare të Koelgjit AAB, shih në: https://dspace.aab-edu.net/handle/123456789/1174