Me temën “Ngjashmëritë dhe dallimet e ndërmarrësisë në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni”, është mbajtur paneli i radhës në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë në Kolegjin AAB.
Në këtë panel ishin të ftuara katër ndërmarrëse dhe profesoresha, të cilat treguan përvojat e tyre në fushën e ndërmarrësisë si dhe krahasuan sfidat që kalojnë bizneset në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.
Romina Radonishiqi, profesoreshë dhe ndërmarrëse tregoi për studentët e Kolegjit AAB, se në Shqipëri ende ka probleme me fuqi punëtore dhe kjo krijon ngecje te krijimi i ndërmarrjeve . Derisa Bruna Merko gjithashtu nga Shqipëria, shpalosi angazhimin që kishte bërë për të nisur një revistë ditore në Kosovë, e cila kishte rezultuar tejet e suksesshme.
Një tjetër ndërmarrëse Mia Morina, që njëherazi është edhe studente e Kolegjit AAB, tha se ka biznes që funksionon mbi 8 vite me radhë, duke këshilluar studentët tjerë që të përcjellin me kujdes iniciativat apo thirrjet nga ministritë e ndryshme për subvencione apo çkado që lidhet me krijimin e një ndërmarrje.
Kurse dy profesoreshat e Kolegjit AAB, Florije Miftari dhe Pranvera Dalloshi, kërkuan nga studentët që të kenë guximin të rrezikojnë, pasi siç thanë ato çelësi i vendeve të reja të punës janë ndërmarrjet.