Dy ekipe të ekspertëve të Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve (AKK), në krye me u.d. drejtorin, Avni Gashi, vizituan Kolegjin AAB, me qëllim të vlerësimit të dy programeve të informatikës: zhvillimi i aplikacioneve softverike dhe mirëmbajtja e teknologjisë informative.
Gjatë vizitës u vlerësuan kurrikulat, personeli i mësimdhënësve dhe infrastruktura e QGjK-së. Qëllim i vizitës sipas kryesuesit të ekipit vlerësues, Avni Gashi, nuk ishte vetëm kontrollimi i plotësimit të kushteve nga ana e QGjK-së por edhe ofrimi i këshillave dhe sugjerimeve për avancim të ofertës profesionale në këto fusha premtuese për punësim në Kosovë.
Nga ana e QGjK, drejtori Altin Shala dhe koordinatorja e cilësisë Mirëvete Aziri, u deklaruan se ishin të impresionuar me qasjen serioze dhe kompetencën e ekipit vlerësues dhe të menaxhmentit të AKK-së. “Në AAB presin që të ndihmojnë në rritjen e punësueshmërisë së të diplomuarve nga programet tona duke organizuar studime sipas standardeve të partnerëve tanë gjerman e britanez”, tha drejtori Altin Shala.
Qendra Gjermane e Kompetencës (QGjK), ofron programe të shkurta të arsimit të lartë profesional në kuadër të Kolegjit AAB.
Rezultatet e kësaj vizite priten në fund të muajit maj – pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve.