Përfaqësues nga universiteti hungarez “Karoli Gaspar University of the Reformed Church” kanë vizituar Kolegjin AAB, të përbërë nga rektori i këtij institucioni prof. dr. Laszlo Troscanvi, zv/rektori për çështje akademike prof. dr. Robert Szuchy dhe drejtorit për marrëdhënie ndërkombëtare Szalai Gabor. Ndërsa përmes videolidhjes mori pjesë edhe assoc. prof. dr. Judit Nagy si zv/dekane për marrëdhënie ndërkombëtare në Fakultetin e Shkencave Humanitare dhe Shkencave Sociale.
Ata u mirëpritën nga zv/rektoret e Kolegjit AAB Venera Llunji, Uranela Demaj, Furtuna Mehmeti, këshilltari i rektorit Shemsedin Vehapi, nga Zyra e Projekteve Erëza Mehmeti, profesorët Arta Rama dhe Ardian Sallauka.
Të dy palët folën për zhvillimin e institucioneve të tyre, duke prezantuar programet studimore, fakultetet dhe stafin. Theks i veçantë u vendos tek bashkëpunimi i këtij universiteti me Kolegjin AAB në fushën e programeve studimore, vizitave studimore, organizimit të konferencave si dhe shkëmbimit të stafit apo studentëve si shkollat verore (për njërën nga to u vendos të mbahet në korrik të 2024).
Gjithashtu u fol edhe për krijimin e rrjetit të bashkëpunimit që përfshin universitete të shumta të Ballkanit, BE’së por edhe vendeve aziatike si Koreja e Jugut. Palët përmendën edhe bursat që ofrohen nga Hungaria për studentët e Kosovës, ku nga Kolegji AAB u apelua të caktohet një numër i bursave për studentët ose stafin e institucionit, në veçanti për nivelin e studimeve doktorale.
Pas takimit, mysafirët vizituan hapësirat e Kolegjit AAB dhe si rezultat i këtij takimi së shpejti do të nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes dy institucioneve në Budapest të Hungarisë.