Përfundojnë dy projektet profesionale vullnetare të studentëve të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Kolegjin AAB

28 Qershor 2024

Kanë përfunduar me sukses dy projekte profesionale vullnetare për studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Kolegjin AAB, të titulluara “Anglishtja nga Unë te Ti” dhe “Studenti për Studentin”.  

Projekti “Anglishtja nga Unë te Ti”, ka për qëllim përmirësimin e aftësive të gjuhës angleze te fëmijët në Fshatin SOS. Studentët e anglishtes nga Kolegji AAB, fillimisht të trajnuar nga koordinatori Niman Dreshaj, për të pestin vit me radhë organizuan kurse të gjuhës angleze falas për fëmijët e Fshatit SOS gjatë gjithë vitit.

Përfaqësuesja e Fshatit SOS Arjeta Rexha, u shpreh se “përpjekjet e fakultetit kanë bërë një ndryshim të rëndësishëm në jetën e fëmijëve në Fshatin SOS, dhe jemi jashtëzakonisht falenderues për kontributet tuaja”.

Projekti “Studenti për Studentin”, synon të mbështesë studentët e Kolegjit AAB nga disiplina të ndryshme, duke ofruar mësim dhe ndihmë akademike të drejtuar nga bashkëmoshatarët. Në bashkëpunim me Qendrën për Karrierë, studentët e anglishtes organizuan kurse të gjuhës angleze për të ndihmuar bashkëmoshatarët në përmirësimin e kësaj gjuhe.

“Suksesi i këtyre programeve është një dëshmi e përkushtimit dhe pasionit të studentëve tanë,” tha dekanja e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja Aida Alla.

Programet “Anglishtja nga Unë te Ti” dhe “Studenti për Studentin”, jo vetëm që kanë ofruar përfitime arsimore, por gjithashtu kanë nxitur rritje personale dhe përgjegjësi sociale ndër vullnetarët. Këto iniciativa pasqyrojnë vlerat thelbësore të Kolegjit AAB, duke theksuar rëndësinë e angazhimit në komunitet dhe mbështetjes së ndërsjellë, si dhe ndërtojnë një komunitet mbështetës brenda kolegjit.

Share: