Përmbyllet Java Globale e Ndërmarrësisë në Kolegjin AAB

22 Nëntor 2022

Me shumë aktivitete është përmbyllur Java Globale e Ndërmarrësisë në Kolegjin AAB, duke shënuar kështu një javë tejet të suksesshme me rezultate të ndryshme.

Në aktivitetet përmbyllëse është mbajtur paneli me temën: “Sfidat e ndërmarrësve gjatë fazës së inflacionit në Kosovë”, ku morën pjesë përfaqësues nga ndërmarrjet private dhe akterë institucionalë. Hapjen e këtij paneli e bëri dekani i fakultetit ekonomik të Kolegjit AAB, Medain Hashani, duke thënë se kjo do jetë një mundësi e shkëmbimit të mendimeve dhe eksperiencave të ndryshme.

Drejtori ekzekutiv i Viva Fresh Logistic, Xhevdet Rexhepi, shpalosi sfidat e problemet që kanë hasur si ndërmarrje në fazën e inflacionit, duke thënë se në raste të tilla mbështetja nuk duhet të mungoj nga institucionet dhe as partnerët tjerë.

Kurse kryetari i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, foli rreth zhvillimeve të fundit ekonomike në vend, bashkë me masat që janë ndërmarrë nga qeveria për t’u ndihmuar qytetarëve, dhe për bizneset që të kalojnë krizat globale të inflacionit.

Fakulteti Ekonomik përmbylli aktivitetet e GEW2022 me debatin “Ndikimi i ikjes së fuqisë punëtore në veprimtarinë biznesore. A janë duke u rrit pagat në sektorin privat?”. Pjesë e këtij paneli ishin Berat Mustafa, Ceo nga Kompania Fluidi, njëherit përfaqësues nga sektori i prodhimit, Esad Islami, përfaqësues nga sektori i Gastronomisë dhe profesoresha e Fakultetit Ekonomik, Roberta Bajrami.

Java Globale e Ndërmarrësisë, që u mbajt në Kolegjin AAB, mundësoi që dhjetëra ndërmarrës të suksesshëm të ndajnë përvojat e tyre, qoftë me studentët apo me panele ekspertësh, duke besuar në reflektim për përmirësimin e mëtejmë të gjendjes në këtë fushë.

Share: