Agim Vinca u lind më 22 maj 1947 në Veleshtë të Strugës, në Maqedoni. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Strugë. Studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe i kreu në vitin 1970, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku edhe magjistroi dhe doktoroi. Është profesor në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, ku ligjëron Letërsinë e Sotme Shqipe. Agim Vinca është njëri nga poetët e njohur bashkëkohorë shqiptarë dhe njëri ndër studiuesit më të dalluar të letërsisë shqipe. Agim Vinca merret edhe me përkthime letrare. Ka marrë pjesë në tribuna e konferenca shkencore në Prishtinë, Shkup, Tiranë, Stamboll, Romë, Paris, Nju- Jork, Berlin etj. Jeton dhe punon në Prishtinë.