Dr. Avdyl Sh. Pacolli, Specialist i Mjekësisë Familjare dhe Specialist i Mjekësisë së Punës, ka lindur më 11 janar 1975 në fshatin Marec, Komuna e Prishtinës, me vendbanim të përhershëm në fshatin Hajvali, po ashtu në Komunën e Prishtinës. Është rritur nga dy prindër që ia kanë kushtuar jetën arsimimit dhe edukimit të tij. Arsimin fillor tetëvjeçar e ka përfunduar në Shkollën Fillore “Shkëndija” në Hajvali (1982/83 – 1989/90), ndërsa arsimin e mesëm në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Dr. Ali Sokoli” në Prishtinë në drejtimin Infermier i Përgjithshëm (1990 – 1994).
Në vitin akademik 1994/95 është regjistruar në Fakultetin e Shkencave Matematike dhe Natyrore të Universitetit të Prishtinës, drejtimi Biologji, ku përfundoi dy vite studimi. Më pas, në vitin 1996/97, është regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, në drejtimin Mjekësi e Përgjithshme, të cilin e ka përfunduar në vitin 2006, duke u kualifikuar si Doktor i Mjekësisë së Përgjithshme. Studimet postdiplomike i ka vazhduar në Qendrën Kryesore të Zhvillimit të Mjekësisë Familjare (QZHMKF), pranë Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë (2011–2014), duke u specializuar në Mjekësi Familjare.
Nga viti 1999 deri në 2006, ka punuar në QKUK – Klinika e Kirurgjisë, Reparti i Neurokirurgjisë, si Infermier i Përgjithshëm. Nga data 01.06.2006, është punësuar si Mjek i Praktikës së Përgjithshme në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Vezir Bajrami” në Shtime, ku ka shërbyer në Shërbimin e Urgjencës dhe Reanimacionit deri më 31.10.2008. Nga 01.11.2008, ka vazhduar punën në Qendrën e Mjekësisë Urgjente në Prishtinë, ku vazhdon të punojë edhe aktualisht.
Brenda këtij institucioni ka mbajtur pozita të ndryshme udhëheqëse, si përgjegjës ekipi, përgjegjës njësie dhe drejtor. Nga data 24.05.2014 deri më 15.03.2016, ka ushtruar detyrën si U.D. Drejtor i QMU-së. Më 27.03.2015 ka mbrojtur titullin Specialist i Mjekësisë Familjare dhe prej asaj kohe ka kontratë të përhershme pune si Specialist në këtë institucion.
Gjatë viteve 2016–2020 ka qenë U.D. Drejtor i QMU-së në Prishtinë, ndërsa nga viti 2020 është zgjedhur përmes konkursit publik si Drejtor i këtij institucioni, pozitë që e ushtron ende. Në periudhën 2020–2022 ka përfunduar studimet master në Menaxhment Shëndetësor në Kolegjin AAB.
Në vitin 2011 ka nisur të punojë si Mjek i Siguruesit në Departamentin Shëndetësor të KS-SIGURIA, ku ka shërbyer si ekspert për vlerësimin e dëmeve shëndetësore deri në vitin 2015. Nga viti 2016, me kontratë me kohë të caktuar, është angazhuar në kompaninë EUROSIG, në Departamentin e Dëmeve Shëndetësore dhe Jo-Materiale, si ekspert vlerësues. Që nga viti 2018 është Censor i kësaj kompanie dhe bën vlerësimin e dëmeve jo-materiale (TPL dhe TPL+), përfshirë shkallën e lëndimeve trupore dhe zvogëlimin e aftësisë punuese.
Dr. Pacolli është gjithashtu ekspert për përcaktimin e zvogëlimit të aktivitetit të përhershëm jetësor (ZAPJ), për përcaktimin e lëndimeve të lehta dhe të rënda trupore dhe shkallës së dëmtimit trupor. Që nga viti 2019, ligjëron në Kolegjin AAB në programin e Shkencave Infermierore – drejtimi Bachelor.
Më 6 prill 2023 është certifikuar si Ekspert Gjyqësor nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Specialist i Mjekësisë Familjare (Licenca nr. 648/23), dhe vazhdon të kryejë ekspertiza mjeko-ligjore sipas kërkesave të gjykatave në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Në vitin 2020, përmes konkursit publik të Ministrisë së Shëndetësisë, është pranuar në specializimin për Mjekësi të Punës. Nga data 23.10.2020 deri më 26.12.2024, ka përfunduar edukimin specialistik në këtë fushë nën udhëheqjen e Prof. Assoc. Dr. Ismet Bajraktari në SHSKUK – QKUK, IMP–Obiliq dhe Qendrën Kombëtare të Mjekësisë së Punës – Gjakovë. Fushat e specializimit përfshijnë: vlerësimin dhe menaxhimin e rreziqeve në vendin e punës, vlerësimin e faktorëve të rrezikut, orientimin dhe selektimin, promovimin e mirëqenies dhe sigurisë së punëtorëve, si dhe përcaktimin e aftësisë punuese të mbetur.
Një pjesë të stazhit të specializimit në Mjekësinë e Punës e ka përfunduar me sukses në vitin 2024 në Zagreb, në HZJZ – Shërbimi për Mjekësinë e Punës, ku ka përvetësuar praktika të avancuara në kujdesin për punonjësit dhe menaxhimin e rreziqeve në mjediset e punës.
Ka marrë pjesë në trajnime dhe certifikime profesionale në menaxhment dhe fusha mjekësore, si: BLC-provider, ACLS-provider dhe ITLS-provider. Flet gjuhën shqipe (amtare), si dhe ka njohuri të mira të gjuhëve angleze dhe kroate. Është njohës i programeve kompjuterike si MS Office XP 2003/2007, MS Word dhe MS Excel.
Dr. Avdyl Pacolli është i martuar me Dr. Spec. Teuta A. Gecaj (Specialiste e Protetikës Stomatologjike) dhe është prind i dy fëmijëve: Mal Pacolli (12 vjeç) dhe Era Pacolli (9 vjeç). Jeton në Hajvali dhe Prishtinë.