Prof. dr. Masar Stavileci, ka qenë profesor në Kolegjin AAB dhe Rektor i parë i tij. Ka mbaruar Normalen në Prishtinë dhe studimet universitare në Universitetin e Beogradit. Ka specializuar në Universitetin e Zagrebit dhe të Sorbonës, në Paris. Ka mbrojtur magjistraturën në Zagreb. Ka bërë kërkime të gjata shkencore të doktoratës kryesisht në Paris e në Tiranë. Ka mbrojtur doktoratën në Fakultetin e Filologjisë së Universitetit të Prishtinës. Ka qenë dhe profesor i këtij universiteti deri me 2003.
Masar Stavileci ka botuar një numër të konsiderueshëm vështrimesh, kritikash e studimesh letrare në gazeta e revista të specializuara në Kosovë , në Shqipëri, në Francë, në Angli, si dhe në disa nga republikat e ish- Jugosllavisë. Ka marrë pjesë në kongrese, simpoziume, sesione dhe projekte shkencore me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar. Është marrë dhe me përkthime letrare nga gjuhët e huaja në shqip. Ka bërë përkthimin e romanit “Neveria” të filozofit dhe të shkrimtarit të madh francez Zh.P. Sartre.
Ka botuar dhe disa vepra, prej të cilave po përmendim: ”Iluminizmi në Letërsinë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare”, Prishtinë, 1990; “Tema letrare franceze”, Prishtinë, 1996; “Apologji e Çështjes Shqiptare”, Prishtinë, 1998; “Iluminizmi shqiptar”, bot. II; Tiranë, 2000, “Elemente të stilistikës letrare” , Prishtinë, 2005;” Apologji e Çështjes Shqiptare”, bot. III, në 100-vjetorin e Pavarësisë, Tiranë, 2012.