Prof. Ass. Dr. Mimoza Kamberi është profesoreshë e rregullt në Fakultetin e Psikologjisë dhe shkencave
sociale në Kolegjin AAB, ku ushtron detyrën e saj që nga viti 2015. Aktualisht, ajo mban edhe pozitën e
Koordinatores për bashkëpunim dhe shkencë në kuadër të këtij fakulteti. Gjatë viteve të saj të angazhimit
në institucion, ajo ka kontribuar në zhvillimin akademik dhe organizativ të Kolegjit AAB përmes
funksioneve të rëndësishme Koordinatore për bashkëpunim dhe shkencë (2024-tutje), si Prodekane për
mësim (2019–2024), u.d. Dekane (2017–2019), si dhe Koordinatore për mësim dhe sigurim të cilësisë
(2015–2017).
Dr. Kamberi ka përfunduar studimet doktorale në Universitetin e Prishtinës në vitin 2022, në fushën e
psikologjisë së edukimit. Ajo ka të përfunduar gjithashtu studimet master dhe bachelor në psikologji pranë
të njëjtit universitet, duke ndërtuar një profil të fuqishëm akademik dhe profesional në fushën e
psikologjisë zhvillimore dhe edukimit.
Në aspektin akademik, Prof. Kamberi ligjëron lëndë në nivelin bachelor dhe master, përfshirë: Psikologjinë
e edukimit, Teoritë e të nxënit, Edukimin dhe zhvillimin e hershëm të fëmijës, si dhe Psikologjinë e
fëmijëve. Ajo ka ndërtuar përvojë të gjerë praktike që nga fillimi i karrierës së saj përmes praktikave në
Qendrën Psikiatrike për Adoleshentë dhe Fëmijë në QKUK dhe Qendrën e Shëndetit Mendor në Prishtinë.
Prof. Kamberi ka përfaqësuar Kolegjin AAB në projekte dhe vizita studimore ndërkombëtare, si
pjesëmarrëse dhe bursiste në programe të ndryshme të ERASMUS+ dhe Tempus në universitete
prestigjioze si Radboud University (Holandë), Universiteti i Ljubljanës (Slloveni), Universiteti i Edinburghut
(Skoci), Universiteti i Cork-ut (Irlandë) dhe Universiteti i Salzburg-ut (Austri).
Prof. Kamberi është anëtare aktive në struktura akademike dhe profesionale, përfshirë Këshillin
Profesional të QAPI-it (Qendra për Aftësim Profesional dhe Inovacion), Komisionin për Sigurim të Cilësisë
në Kolegjin AAB, dhe Këshillin e Studimeve Master (KSM). Ajo ka përfaqësuar Fakultetin e Psikologjisë në
konferenca shkencore ndërkombëtare në vende të ndryshëm të botës, ku ka prezantuar punimet e saj në
fushën e edukimit dhe zhvillimit të të rinjve.
Ajo është autore e disa publikimeve shkencore të indeksuara ndërkombëtarisht në revista prestigjioze,
ndër të cilat përmendim:
The types of intrinsic motivation as predictors of academic achievement: the mediating role of deep
learning strategy, Cogent Education (2025)
Experiences With and Risks of Internet Use Among Children in Kosovo, Journal of Elementary Education
(2022)
Anxiety predictors among college students in Kosovo, International Journal of Adolescence and Youth
(2019)
Përveç angazhimeve akademike, ajo është e pranishme edhe në media përmes pjesëmarrjes në emisione
dhe intervista që trajtojnë temat e zhvillimit psikologjik, edukimit dhe shëndetit mendor të fëmijëve dhe
të rinjve.
Email: [email protected]