Naim Telaku ka fituar titullin Doktor i Shkencave të Aplikuara të Mjekësisë nga Universiteti Mjekësor i Vjenës në vitin 2018. Paraprakisht, ai ka magjistruar në Psikologjinë Neurokognitive në Universitetin Ludwig Maximilians të Mynihut, gjersa shkollimet bazike në Shkencën Politike dhe Psikologji i ka mbaruar në Prishtinë.
Aktualisht, z.Telaku mban pozitën e dekanit të Fakultetit të Psikologjisë në Kolegjin AAB. Ai ka qenë i zgjedhur President i Asociacionit të Psikologëve Profesionist të Kosovës, bashkëdrejtues i Komisionit për Licencimin e Psikologëve Klinikë pranë Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë si dhe njëri ndër përfaqësuesit e komunitetit të psikologëve klinikë në kuadër të Odës së Mjekëve të Kosovës. Në vitin 2013, z.Telaku ka bashkëthemeluar Ambulancën Psikologjike Klinike UNI, ku vazhdon të mbajë seanca terapeutike në baza ditore.
Si ligjërues ka punuar në Universitetin e Prishtinës dhe disa nga universitetet private në vend. Fushat e ligjërimit kryesisht përfshijnë psikologjinë klinike dhe këshillimore, psikoterapinë dhe neuroshkencën, ndërsa interesat hulumtuese ndërlidhen me filozofinë e neuroshkencës, psikologjinë evolutive si dhe fushat e ndërlidhjes së psikologjisë me pikëpamje të ndryshme filozofike dhe shkencat ekzakte, ku edhe ka botuar dy libra individual “Ouroboros” (2015) dhe “Placenta” (2017).