MSc. Naime Rrustemi ka lindur më 15 Shkurt 1980 në komunën e Vushtrrisë. Në moshë të hershme, ajo u shpërngul me familjen në Mitrovicë, ku ka ndjekur arsimin fillor dhe të mesëm. Ajo ka përfunduar me sukses shkollën e mesme të mjekësisë “Xheladin Deda” në drejtimin Infermieri, duke hedhur bazat për një karrierë të përkushtuar në fushën e kujdesit shëndetësor. Pas përfundimit të shkollës së mesme në vitin 1998, filloi menjëherë praktikën profesionale, duke u angazhuar në shërbime të kujdesit ndaj pacientëve. Në vitin 2000, ajo mori pjesë në një trajnim gjashtëmujor për kujdes intensiv të organizuar nga KFOR-i francez, përvojë e cila e forcoi edhe më tej aftësinë e saj për t’u përballur me situata të ndërlikuara mjekësore.
Pas këtij trajnimi, u punësua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku vazhdon të punojë deri më sot, konkretisht në Klinikën Infektive. Për më shumë se dy dekada, ajo ka dhënë një kontribut të vazhdueshëm në trajtimin e pacientëve me sëmundje infektive, duke kombinuar përvojën klinike me edukimin e vazhdueshëm profesional. Gjatë këtyre viteve, Naime Rrustemi ka ndjekur një sërë trajnimesh dhe module edukimi për sëmundjet ngjitëse, me fokus të veçantë në HIV/AIDS, hepatitet virale (A, B, dhe C), tuberkulozin, meningitin, infeksionet respiratore akute, infeksionet spitalore, si dhe sëmundjet zoonotike. Puna e saj është karakterizuar nga përkushtimi në kujdesin e pacientëve, por edhe nga angazhimi i saj në përditësimin e njohurive sipas zhvillimeve më të fundit në mjekësi.
Në vitin 2016, vendosi të ndjekë studimet universitare bachelor ne drejtimin e Infermierisë në Kolegjin AAB në Prishtinë, të cilat i përfundoi me sukses në vitin 2019. Menjëherë pas kësaj, në vitin 2020, u regjistrua në studimet Master i Shkencave në Menaxhmentin Shëndetësor të cilin e kreu po në të njëjtin kolegj në vitin 2022, duke zgjeruar kështu aftësitë dhe njohuritë e saj në drejtimin dhe administrimin e shërbimeve shëndetësore.
Përveç punës së saj në klinikë, pas përfundimit të studimeve Master, ajo ka filluar të angazhohet si asistente për trajnimin praktik të studentëve të infermierisë, në Kolegjin AAB- Prishtinë duke ndihmuar gjeneratat e reja të profesionistëve shëndetësorë që të formohen me kompetencë dhe përkushtim. Me një përvojë të gjatë, arsim të lartë profesional dhe shpirt human, Naime Rrustemi mbetet një figurë e respektuar në sistemin shëndetësor të Kosovës dhe një shembull frymëzimi për kolegë dhe studentë.