Dr.sc.

Nora Osmani

Nora Osmani, e lindur më 14 tetor 1989 në Kërçovë, është Prof.Ass. në Fakultetin Juridik në
Kolegjin AAB në Prishtinë, Kosovë, ku ligjëron lëndë të ndryshme nga e drejta civile dhe e
drejta e teknologjisë informative. Aktiviteti i saj akademik dhe kërkimor fokusohet kryesisht
në të drejtën e teknologjisë së informacionit, mbrojtjen e të dhënave personale, privatësinë
dhe inteligjencën artificiale.
Pas përfundimit të studimeve bachelor në drejtësi dhe në marketing menaxhment në
Universitetin Shtetëror të Tetovës, ajo përfundoi me sukses edhe studimet master në të drejtën
civile në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, duke mbrojtur tezën e masterit e titull:
“Mënyrat e fitimit të pronës sipas legjislacionit të Maqedonisë dhe Kosovës”. Studimet e
doktoratës i kreu në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, në Fakultetin Juridik,
në fushën e të drejtës së teknologjisë së informacionit, me fokus të veçantë në privatësinë dhe
mbrojtjen e të dhënave personale në epokën dixhitale.
Gjatë periudhës së doktoraturës, ajo ka qenë bursiste Fulbright në Universitetin Georgetown
në SHBA, si dhe ka ndenjur për vizitë studimore në Vrije Universiteit Brussel në Belgjikë
dhe në Masaryk University, Institute of Law and Technology në Brno, Çeki. Këto përvoja
ndërkombëtare i kanë mundësuar të thellojë njohuritë e saj në çështjet e ndërlidhura me
inteligjencën artificiale, përgjegjësinë penale të sistemeve autonome dhe sfidat ligjore të
privatësisë.
Nga viti 2018 deri në vitin 2020, ajo ka punuar si bashkëpunëtore e jashtme hulumtuese në
Masaryk University, ku ka qenë pjesë e projektit kërkimor C4E, që trajtonte personifikimin
juridik të inteligjencës artificiale, përgjegjësinë penale dhe ndikimin e sistemeve autonome në
privatësi.
Ajo është autore e disa punimeve shkencore, të botuara në revista dhe konferenca
ndërkombëtare, siç është artikulli mbi kompleksitetin e përgjegjësisë penale të sistemeve AI
në revistën shkencore "Masaryk University Journal of Law and Technology"
https://journals.muni.cz/mujlt/article/view/12440, si dhe punime mbi të drejtën për t’u harruar
dhe mbrojtjen e privatësisë në Maqedoninë e Veriut.
Ajo ka marrë pjesë në disa konferenca ndërkombëtare të rëndësishme në fushën e së drejtës
së teknologjisë dhe mbrojtjes së të dhënave, përfshirë: 8th Annual International Conference
on Cyber Engagement (Washington DC), 9th Annual Privacy Papers for Policymakers
(Washington DC), 10th International CPDP Conference – "The Age of Intelligent Machines"
(Bruksel), 13th International Conference on Cyberspace (Brno), konferenca ndërkombëtare
“Ndryshimet sociale në botën globale” në Universitetin “Goce Delçev” në Shtip, etj. Ajo
gjithashtu ka marrë pjesë në shkollën verore për IP and ICT Law (Reichenau, Austri), ku ka
thelluar njohuritë në pronësinë intelektuale dhe të drejtën e teknologjisë së informacionit.
Nora flet rrjedhshëm gjuhën angleze dhe maqedonase, ka njohuri të mira të gjuhes serbe dhe
është duke përmirësuar aftësitë e saj në gjuhën spanjolle. Aktualisht banon dhe punon në
Prishtinë dhe mund të kontaktohet nëpërmjet emailit [email protected].