Në Kolegjin AAB po vazhdojnë punimet e “Konferencës së 7-të botërore për Inovacion dhe Shkencë Kompjuterike” dhe “Konferencës e 7-të botërore për Hulumtim, Teknologji dhe Edukim”. Të dy këto konferenca ndërkombëtare janë organizuar në bashkëpunim me Universitetin “Near East” nga Qipro.
Janë 100 punime kërkimore të këtyre fushave që po prezantohen në këto dy konferenca, ku pjesëmarrës janë hulumtues nga 22 shtete të ndryshme të botës, si Australia, ShBA-të, Izraeli, Rusia, Irani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Spanja, Çekia, Tajlanda, Pakistani, etj..
Punimet më të mira nga këto konferenca do të publikohen në Revistën Ndërkombëtare të fushës së teknologjisë, “Current Proceeding of Technology”.
Krahas hulumtuesve nga vende të ndryshme të botës, në këto konferenca po marrin pjesë me punimet e tyre edhe studentët e nivelit master të Fakultetit të Shkencës Kompjuterike në AAB. Blerta Prevalla Hetemi nga Këshilli Shkencor i konferencave është shprehur shumë e kënaqur me nivelin e punimeve të studentëve: “Studentët e Masterit, me punimet e tyre shkencore kanë përfshirë hulumtime shumë të rëndësishme në fushën e teknologjisë dhe aplikimit të saj në zhvillimin e ekonomisë së vendit dhe më gjerë. Kanë pasur jashtëzakonisht punime të mira, prandaj edhe janë përfshirë për publikim bashkë me punimet shkencore të hulumtuesve të tjerë nga e gjithë bota”, ka thënë ajo.
Ndërsa, prof. Hüseyin Uzunboylu, nga Universiteti Near East i Qipros, duke folur për organzimin e konferencave ka thënë se ky bashkëpunim është bërë me Kolegjin AAB sepse është ndër institucionet më të mira në rajon. “Në bazë të asaj që e kam parë pasi kam ardhur këtu, besoj se shumë shpejt, Kolegji AAB do të hyjë në mesin e 1000 universiteteve më të mira në botë”, është shprehur Uzunboylu.
Ndryshe, në hapjen e punimeve të konferencave në fjalë, ministri i Kosovës për Arsim, z.Arsim Bajrami, ka thënë se organizimi i këtyre konferencave është ngjarje e rëndësishme, jo vetëm për Kolegjin AAB, por për tërë përpjekjet e vendit për ta ngritur nivelin dhe standardin e punës kërkimore – shkencore.
Ministri Arsim Bajrami ka theksuar se me standardet e punës kërkimore, Kolegji AAB dëshmon se është i përcaktuar për të qenë lider i arsimit jo publik, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon”.
Punimet e këtyre konferencave do të përfundojnë sot në orën 14:00, ndërsa gjatë ditës së nesërme pjesëmarrësit ndërkomëbatarë të konferencave do të zhvillojnë edhe një ekskurzion nëpër Kosovë.
.