Prof. Jennifer A. Taylor nga SHBA mbajti një ligjëratë speciale për studentët e Kolegjit AAB

17 Maj 2018

Në Qendrën Mediale të Kolegjit AAB u mbajt një ligjëratë speciale për studentët e Fakultetit të Administratës Publike nga znj. Jennifer A. Taylor, profesoreshë e shkencave politike në Universitetin “James Madison”, SHBA.

Tema e kësaj ligjërate ishte “Evolution of Pro-Social Behaviors in a Democracy: The U.S” (Sjelljes pro-sociale në demokraci), që kryesisht u fokusua në rëndësinë që kanë organizatat jo fitimprurëse.

Me këtë rast, zv.rektori i Kolegjit AAB, Shemsedin Vehapi e falënderoi profesoreshën Taylor për këtë ligjëratë speciale për studentët e AAB-së dhe tha se kjo temë është e rëndësishme sidomos për vendet siç është Kosova, e cila është në fillimet e ndërtimit të demokracisë.

“Demokracia që po e jetojmë dhe ajo çka e mësojmë, së paku shpresojmë se janë dy bota të ndryshme. Demokracia nuk ndërtohet me deklarime politike, por ajo ndërtohet me ndërhyrje në procesin e formësimit të njeriut në fazat e hershme, sidomos në proceset edukative që ndodhin nëpër shkolla”, tha zv.rektori Vehapi.

Këtë ligjëratë, e cila është në kuadër të grupit të ekspertëve që Ambasada Amerikane sjellë në Kosovë për fusha të ndryshme, e përshëndeti edhe përfaqësuesja nga kjo ambasadë, Erin Mainz.

Ajo, në fjalën e saj tregoi për rëndësinë e këtyre ligjëratave që Ambasada Amerikane sjellë në Kosovë, ku tha ekspertët e lëmive të ndryshëm që vijnë për këtu, luajnë një rol kyç në zhvillimin e demokracisë në vend.

“Profesoresha Taylor është këtu për të folur për shoqërinë civile dhe zhvillimin e organizatave jo qeveritare, pasi që shoqëria civile dhe OJQ-të lujnë rol kyç në zhvillimin e demokracisë. Këtë rol e luajnë jo vetëm në vende si Kosova që ka vetëm 10 vjet shtet, por edhe te ne në SHBA që jemi shtet demokratik 200-vjeçar. Ende demokracia e jonë evoluon/ndryshon dhe shoqëria civile luan rol kyç”, tha Mainz.

Ajo prezantoi edhe programin “Fulbright” e cila është një mundësi e mirë që studentët, e në disa raste edhe për profesorët nga Kosova që të kalojnë një apo dy semestra në SHBA. Mainz tregoi detaje për programin “Fulbright” ku tha se studentët që duan të aplikojnë në këtë program, duhet të kenë të kryer nivelin Baçelor.

Ndërsa, profesoresha Taylor në ligjëratën e saj foli për evoluimin e sektorit jo fitim-prurës në SHBA dhe për rolin e këtij sektori në shoqëri.

Duke folur për rëndësinë e OJQ-ve në SHBA, ajo tha se vetëm ne vitet 2016-2017, qytetarët amerikanë kanë dhënë 390 miliardë dollarë organizatave jo qeveritare, shumë të cilën ajo tha se është mjaft e lartë, por që kwto organizata luajnë një rol të madh në demokracinë e SHBA-ve.

Ajo shtoi se, OJQ-të, pos rolit të tyre në demokratizimin e shoqërisë, paraqesin edhe mundësi për të hyra financiare si dhe për punësim.

Në këtë ligjëratë, ku morën pjesë një numër i konsiderueshëm i studentëve të Fakultetit të Administratës Publike të Kolegjit AAB, pati edhe shumë pyetje dhe bashkëbisedim me profesoreshën Taylor për tema që kanë të bëjnë me OJQ-të si dhe rolin e tyre në shoqëri.

Share: