Prof. Petrit Bushi përfaqësoi Kolegjin AAB në Konferencën Shkencore “Drejtësia për të miturit, realiteti dhe sfida” në Tiranë

20 Shkurt 2018

Dekani i Fakultetit të Administratës Publike në Kolegjin AAB, profesor Petrit Bushi, ka marrë pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti Mesdhetar i Tiranës me temë “Drejtësia për të miturit, realiteti dhe sfida”.  Kjo konferencë, erdhi si një përpjekje për t’i vendosur çështjet e drejtësisë së të miturve në fokusin e debatit publik, menjëherë pas hyrjes në fuqi të Kodit të Drejtësisë Penale për të Miturit.

“Bashkëpunimi ynë ka dhënë rezultate në fushën e kërkimit shkencor dhe po jep edhe me këtë konferencë si dhe në bashkëpunimin e planifikuar për muajt e ardhshëm”, ka thënë me këtë rast Bushi.

Në këtë Konferencë të organizuar nga Universiteti Mesdhetar i Tiranës, prof. Petrit Bushi tha se Kosova ka një eksperiencë të trashëguar dhe një legjislacion bashkëkohor për drejtësinë e të miturve. Praktika e Kosovës vjen në këtë Konferencë me një kontribut konkret nëpërmjet artikujve shkencor nga stafi i profesorëve të Kolegjit AAB.

Ai gjithashtu shtoi se drejtësia për të mitur është komplekse, realizimi i së cilës kërkon pjesëmarrjen e shumë aktorëve të drejtësisë, policisë, shoqërisë, psikologë, sociologë, etj..

Share: