Nën organizimin e përmbashkët të Fakultetit Ekonomik të Kolegjit AAB dhe Universitetit “Aleksandër Moisiu” nga Shqipëria, në Durrës u mbajt Konferenca Ndërkombëtare “Komunikimi dhe menaxhimi i marketingut dixhital”.
Dekani i Fakultetit Ekonomik, profesor Shaip Bytyçi, me këtë rast tha se kjo konferencë shkencore është një lidhje e çmuar në zinxhirin tone të bashkëpunimit, duke dhënë rezultate në fushën e kërkimit shkencor si dhe në bashkëpunimin e planifikuar për muajt e ardhshëm.
Kjo konferencë erdhi si përpjekje për të vendosur çështjet e komunikimit dhe menaxhimit aktual nga aspekti i kërkesave të kohës. Me punimet e tyre, aty u paraqitën edhe shumë profesorë të Fakultetit Ekonomik nga Kolegji AAB, me ç’rast prof. Bytyçi tha se pjesëmarrësit nga Kosova me punimet e tyre, vijnë me një eksperiencë ndryshe, duke paraqitur praktikat aktuale me një kontribut konkret nëpërmjet artikujve shkencor nga stafi i profesorëve dhe studentëve të Kolegjit AAB.