Profesoresha e Kolegjit AAB merr pjesë në konferencën rajonale në Maqedoninë e Veriut

2 Prill 2026

Profesoresha e Fakultetit të Shkencave Shëndetësore, Prof. Ass. Dr. Fatime Arënliu Qosaj ka marrë pjesë në konferencën rajonale “Bridging Futures: Internationalisation of Higher Education in the Western Balkans and Southeast Europe”, e mbajtur në Shkup, e bashkëorganizuar nga Regional Cooperation Council dhe World Bank, nën patronatin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë së Veriut.

Diskutimi në këtë konferencë u përqendrua në qasjet rajonale lidhur me njohjen reciproke të kualifikimeve profesionale, planifikimin dhe mbajtjen e fuqisë punëtore, si dhe kornizat e mobilitetit në kontekst të integrimit në BE.

Prof. Ass. Dr. Arënliu Qosaj theksoi se mobiliteti i profesionistëve shëndetësorë udhëhiqet kryesisht nga faktorë sistemikë, përfshirë kushtet e punës, lodhjen profesionale dhe mungesën e mundësive për zhvillim profesional dhe kërkim shkencor.

Ajo nënvizoi se mbajtja e profesionistëve kërkon një qasje të bazuar në sistem, përtej stimujve financiarë, duke theksuar se sfidë mbetet zbatimi i politikave ekzistuese, si dhe nevoja për forcimin e kërkimit shkencor dhe zhvillimin e rrugëve të karrierës, veçanërisht për profesionistët në fazat e hershme të karrierës.

Konferenca mblodhi ekspertë rajonalë dhe ndërkombëtarë, me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe ofrimin e zgjidhjeve konkrete për politika që synojnë forcimin e sistemeve shëndetësore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të fuqisë punëtore në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Share: