Edhe këtë të javë, në Kolegjin AAB, kanë vazhduar aktivitetet në kuadër të ‘AAB Summer Project’. Përpos pjesës organizative të projekteve hulumtuese, që do të zhvillohen gjatë verës, sot studentët e Fakultetit të Psikologjisë, Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe të ata të Fakultetit të Komunikimit Masiv, patën rastin të ndjekin një ligjëratë dhe demonstrim mjaft interesant nga profesoresha nga Franca, Dr. Mariel Leclere mbi elektroencefalografinë dhe neuro-feedback-un.
Gjatë kësaj ligjërate, studentët u njoftuan me këtë teknikë mjaft të avancuar të pasqyrimit të valëve elektromagnetike të trurit të njohur si (EEG).
Dr. Leclere, prezantoi para studentëve fushat kryesore të aplikimit të kësaj teknike, e që përfshijnë pasqyrimi e valëve elektrike të trurit tek personat e zakonshëm, pastaj tek rastet klinike duke përfshirë çrregullimet e gjumit dhe jo vetëm, dhe pastaj bashkë me studentët operuan me aparaturën e EEG.
Prezantimi u mbyll me pasqyrimin e metodës së neuro-feedback përmes së cilës mund të intervenohet në rregullimin e valëve trunore në raste të çrregullimeve mendore. Në pjesën e fundit, studentët parashtruan pyetje nga kureshtja e tyre për imazhimin e punës së trurit përmes EEG dhe metodat e hulumtimit në kuadër të Neuroshkencës.
Aktiviteti u përmbyll me punëtorinë për projektet hulumtuese dhe me diskutimin e programit për javët në vazhdim.