Fakulteti i Komunikimit Masiv ka nisur një sërë takimesh informuese me nxënësit e shkollave të mesme, duke u fokusuar në tema kyçe si fake news, ndikimi i mediave sociale dhe tema të tjera të ndjeshme me qëllim të edukimit mediatik të brezave të rinj.
Kjo iniciativë e profesorëve të Komunikimit Masiv të Kolegjit AAB është në kuadër të punës vullnetare për kontributdhënien e tyre në shoqëri, e cila njëherësh është edhe mision i tretë i Kolegjit AAB.
Në kuadër të ekspertizës së tyre, profesorët e Fakultetit të Komunikimit Masiv janë përqendruar në tema të dobishme për moshat e reja, si mediat sociale, përfshirë TikTok, Instagram, por edhe fake news, efekti i mediave etj., të cilat sot kanë transformuar peisazhin mediatik edhe në Kosovë.
Këto transformime janë parë të arsyeshme nga studiuesit dhe profesorët e komunikimeve dhe gazetarisë të AAB-së që t’u shpjegohen edhe shkollarëve të mesëm për anët pozitive, por edhe për ato negative që kanë mediat ndaj grupmoshave të reja.