Profesori i Kolegjit AAB, Luan Tashi sjell 67 artefakte të Skënderbeut në Galerinë Kombëtare

11 Shkurt 2022

“Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve” titullohet ekspozita e profesorit të Kolegjit AAB, Luan Tashi, i cili ka sjellë 67 artefakte në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Fjala është për ekspozimin e artefakteve të ndryshme që paraqesin historinë e Skënderbeut, si: monedha, dorëshkrime, vula, gravura, litografi, piktura, mozaikë, medalje e pulla postare të Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Në këtë ekspozitë e cila do të qëndrojë e hapur deri më 8 mars, vizitorët gjithashtu kanë mundësi të shohin edhe portretin e Skënderbeut, i skalitur në gur nga skulptori Andrea Aleksi.

Sipas artistit Tashi, ekspozita është pjesë e librit, i cili është botuar në vitin 2018, në 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, ndërsa artefaktet janë marrë nga arkiva të ndryshme, si nga Arkivi i Dubrovnikut, nga arkiva të ndryshëm në Itali, Stamboll, nga Shqipëria, por edhe nga bibliotekat në Washington dhe New York.     

Profesor Tashi është ligjerues dhe bartës i disa lëndëve në Kolegjin AAB, në Fakultetin e Komunikimeve dhe atë të Arteve.

Share: