Profesori i njohur Edward Joseph, folës kryesor në konferencën shkencore ndërkombëtare të Kolegjit AAB

8 Korrik 2024


Edward P. Joseph, profesori i njohur i politikës së jashtme nga Universitetit John Hopkins i Uashingtonit, do të jetë folës kryesor në konferencën shkencore ndërkombëtare të Kolegjit AAB, me titull “Siguria, paqja dhe zhvillimi i qëndrueshëm në botën e trazuar”.

Joseph ka shërbyer në disa misione për zgjidhje konfliktesh, si në Kosovë, Bosnjë, Maqedoni, Afganistan, Pakistan, Irak, Haiti etj. Raportet e Joseph për Grupin Ndërkombëtar të Krizave në Maqedoni hapën terren të ri për lidhjen midis korrupsionit dhe konfliktit, si dhe për çështjen e emrit me Greqinë, ndërsa duke shërbyer si zëvendës-shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë në vitin 2012, ai negocioi një përparim të orës së fundit për zgjedhjet e atëhershme serbe në Kosovë.

Joseph ka sjellë përvojën e tij të gjerë nga terreni – në School of Advanced International Studies të Universitetit Johns Hopkins, ku ai jep mësim për menaxhimin e konflikteve dhe shkruan dhe flet gjerësisht për çështjet e politikës së jashtme.

Në konferencën shkencore të Kolegjit AAB e cila do të mbahet më 12 shtator, ai do të flasë për stabilitetin dhe zgjidhjen e konflikteve në Ballkan, veçanërisht për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Joseph gjithashtu është mjaft aktiv edhe në media, duke shkruar analiza për The New York Times, Foreign Affairs dhe Foreign Policy, si dhe në revista shkencore.

Share: