Profesori polak Zelazny: “Evropa përfaqësohet më shumë si një botë vlerash kulturore e shpirtërore”

3 Maj 2016

Profesori nga Polonia, Walter Janusz Zelazny, para studentëve të Kolegjit AAB, mbajti një ligjëratë në temën: “Ku ndodhet në kuptimin politik Perëndimi e ku Lindja, si dhe ku është Veriu e ku Jugu, nëse bëhet e qartë se në mes nuk ka Qendër?”.

Për këtë bëri një paraqitje të shkurtër historike të përcaktimit të Evropës si aspekt gjeografik që përfshinte; në Veri vendet skandinave si Skocinë,Islandën dhe vendet e ulëta, pastaj në Perëndim Francën, Spanjën dhe Portugalinë, kurse në Jug vendet mesdhetare ku shtriheshin Siria, ish-tokat e Izraelit dhe në Lindje Rusia dhe vendet e tjera sllave deri në Urala pa Turqinë.

“Por në çdo epokë kufijtë e Evropës kanë qenë të lëvizshëm. Qysh Herodoti ka folur për kufijtë jo vetëm gjeografik por edhe kulturorë dhe shpirtërorë. Kështu, në Evropë ka mbizotëruar krishterimi dhe vetëm shumë vonë, nga shekullin VII deri në shekullin XI kontinenti u konfigurua si i tillë, si Evropë”, ka thënë prof. Zelazny.

Prof. Zelazny ka theksuar se Bashkimi Evropian është ngritur mbi parime të caktuara si; mbi bazën e deklaratës për të drejtat e njeriut, mbi interesat ekonomike, për një treg të përbashkët mallrash dhe parash, por për këtë bashkim themeluese kanë qenë gjashtë vendet e para si; Franca, Gjermania, Italia dhe shtete e Beneluksit. Të gjitha vendete tjera kanë hyrë duke pranuar kushtet pa kundërshtim.

“Sot Evropa përfaqësohet më shumë si një botë vlerash kulturore e shpirtërore më shumë se sa ekonomike dhe gjeografike”, ka thënë prof. Zelazny.

Në fund të ligjëratës pati edhe një debat, ku studentët e Kolegjit AAB u interesuan të dinë për politikën aktuale në Poloni, për rreziqet e hyrjes në Bashkimin Evropian, dhe përparësitë ose mospërparësitë e Kosovës në BE, e të cilave iu përgjigj profesori polak, Walter Janusz Zelazny.

 

Share: