Ambasada e Shqipërisë në Kosovë dhe Kolegji AAB organizuan promovimin e librit “Ali Pashë Tepelena në Artin Botëror: Pararendës i Pavarësisë Shqiptare”

30 Tetor 2025

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, në bashkëpunim me Kolegjin AAB, organizoi promovimin e librit “Ali Pashë Tepelena në Artin Botëror: Pararendës i Pavarësisë Shqiptare”, të autorit profesor Luan Tashi. Ngjarja mblodhi personalitete nga fusha e akademisë, artit dhe diplomacisë shqiptare.
Në këtë aktivitet mori pjesë Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Sh. T. Petrit Malaj, i cili me praninë e tij nderoi promovimin dhe përkrahu përpjekjet për ndriçimin e figurës së Ali Pashë Tepelenës në kontekstin historik dhe artistik ndërkombëtar, si një dëshmi e rëndësishme e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Një fjalë të veçantë mbajti edhe Prof. Dr. Irakli Koçollari nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, recensent i librit, i cili ndau me të pranishmit analizën e tij akademike mbi rolin e Ali Pashë Tepelenës si figurë komplekse dhe pararendëse e proceseve të pavarësisë shqiptare.
Rektori i Kolegjit AAB, Dr. Sc. Blerim Olluri, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rëndësinë e veprës dhe të autorit, duke vlerësuar se ky botim përbën një kontribut të rëndësishëm në fushën e studimeve historike dhe artistike, duke e vendosur figurën e Ali Pashë Tepelenës në një kontekst të gjerë kulturor ndërkombëtar, aty ku historia dhe arti takohen në mënyrën më fisnike.

Kolegji AAB vlerëson bashkëpunimin me Ambasadën e Shqipërisë si një mundësi të rëndësishme për promovimin e vlerave shkencore, historike dhe kombëtare, duke theksuar rëndësinë e lidhjeve të ngushta ndërmjet institucioneve arsimore dhe përfaqësive diplomatike shqiptare. Ceremonia e promovimit u zhvillua në hapësirat e Kolegjit AAB.

Share: