Promovohen librat “Hajredin Bej Cakrani – Kujtimet e një firmëtari” dhe “Kadri Cakrani – Të vërtetat e luftës sime”

9 Dhjetor 2023

Në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB është bërë promovimi i dy librave që sjellin kujtimet, dorëshkrimet dhe historinë e dy atdhetarëve Hajredin Bej Cakrani dhe Kadri Cakrani, të botuara nga pasardhësi i kësaj familje heroike Kujtim Cakrani. Gjatë ceremonisë të promovimit e moderuar nga profesori Nexhmedin Spahiu morën pjesë edhe dy historianët nga Shqipëria Sazan Guri dhe Kastriot Bimo.
Profesori Nexhmedin Spahiu tha se kontributi i Hajredin Bej Cakranit dhe Kadri Cakranit deri në pavarësimin e Shqipërisë me 1912 është i pakontestueshëm, duke shtuar se këto përjetime e ngjarje historike rrezikoheshin të mbetnin në sirtar nëse nuk do ishin nxjerrur nga Kujtim Cakrani. Spahiu tha se të gjitha rrëfimet e paraqitura në libër janë ndriçim i një periudhe të rëndësishme, që përfshin faza kyçe të historisë shqiptare. Të dy historianët e vunë në piedestal rëndësinë e këtyre librave të cilat sjellin trashëgiminë e dorëshkrimeve të dy patriotëve të mëdhenj që kishte Shqipëria, të cilat do të mund të humbisnin nëse nuk do të përtëriteshin nga pasardhësi i tyre Kujtim Cakrani. Ky i fundit falënderoi të pranishmit që ishin në numër të madh dhe shtoi se promovimi i librave po realizohet në Kosovë si shkak i lidhjes që familje e tij kishte me heronjtë dhe patriotët nga vendi jonë.
Ai tha se shpreson që ky libër të jetë një reflektim i të gjithëve për çështjen kombëtare.

Share: