Në vazhdën e aktiviteteve në hapësirat e Kolegjit AAB, sot u bë promovimi i librit “Sovraniteti versus Integriteti” i autorit Arben Çejku. Në ceremoninë e promovimit të këtij libri të pranishëm ishin përfaqësues politik, diplomatik, letrar e kulturor të vendit.
Kryetari i Bordit z. Lulzim Tafa në fjalën e tij përshëndetëse foli mbi tematikën e librit dhe rëndësinë e një promovimi të tillë në hapësirat e AAB. Ndërsa, ambasadori Avni Spahiu foli për lidhshmërinë e krijimit të politikave të vendit me librin për të arritur një marrëveshje përfundimtare me shtetin e Serbisë. Dekani i Fakultetit të Administratës Publike në Kolegjin AAB, Petrit Bushi, ndër të tjera shprehu rëndësinë e librit për studim nga ana e studentëve të fakultetit ku ai drejton dhe ndarjet historike që i trajton autori në brendësi të librit.
Vetë autori i këtij libri, z. Arben Çejku, shpreh mirënjohje për organizimin e promovimit të librit në ambientet e Kolegjit AAB, jo vetëm si tempull i dijës kombëtare por edhe qendër kombëtare të librit. Z. Çejku ka treguar për përpjekjet e tij dhe sfidat që ka kaluar deri në përfundimin e këtij libri, pasi si autor duhet të hiqte petkun e diplomatit i cili duhet të përgjigjet mbi të gjitha informacionet që jep dhe të jap kontribut në shprehjen dhe tregimin e prapaskenave të një dialogu me rëndësi të veçantë për shtetin e Kosovës.
Në fund, Çejku u përgjigj në pyetjet e studentëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në këtë promovim, të cilët shprehën interesim mbi zhvillimet e sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Kosovës.