12 Maji-Dita Ndërkombëtare e Infermierisë, po shënohet me aktivitete të shumta nga Fakulteti i Infermierisë i Kolegjit AAB. Nën organizimin e stafit menaxhues dhe studentëve të këtij fakulteti, kjo javë ka filluar me aksione për dhurimin vullnetar të gjakut, me ligjërata e këshillime për edukimin shëndetësor, dhe po vazhdon me ofrimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e qendrave më të mëdha të Kosovës.
Aktivitetet e sotme u zhvilluan në Prizren, Ferizaj, Gjakovë, Pejë, Suharekë, Malishevë, Lipjan, Podujevë, Mitrovicë, Gjilan e Kaçanik. Ndërsa në kryeqendër, në Prishtinë, studentët e Kolegjit AAB ofruan shërbime shëndetësore falas për qytetarët në dy pika, të cilat u shndërruan në “ambulanca të improvizuara”, në Sheshin “Zahir Pajaziti” dhe në platonë te PTK.
Qindra qytetarë patën rastin të përfitojnë nga këto shërbime, si matja e tensionit, matja e glikemisë në gjak, këshillime për jetë të shëndetshme, etj..
Me këtë rast, studentët dhe stafi u vizituan edhe nga Rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa me bashkëpunëtorë, i cili me këtë rast i uroi studentët dhe stafin e Fakultetit të Infermierisë për Ditën Ndërkombëtare të Infermierëve.
Ndërsa, Dekani i Fakultetit të Infermierisë, Idriz Sopjani, tha se ofrimi i shërbimeve shëndetësore falas për qytetarët në të gjitha qytetet e Kosovës është një formë e mirë e promovimit të shëndetit dhe diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve.
“Studentët e infermierisë po tregojnë një gatishmëri të madhe që qysh tash të bëjnë diçka në drejtim të edukimit shëndetësor të popullatës. Sa më shumë aktivitete të tilla do ta rrisin vetëdijen qytetare për një stil jetese më të shëndetshëm”, theksoi Sopjani.
Fakulteti i Infermierisë në Kolegjin AAB ka krijuar një traditë të mirë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë, duke qenë pranë qytetarëve me qëllim ruajtjen e shëndetit.
Trendët e zhvillimit të infermierisë janë në orientim të infermierit në ofrimin e shërbimeve në komunitet andaj Kolegji AAB, po orienton studentët në fitimin e kompetencave në ofrimin e shërbimeve në komunitet përmes këtyre aktiviteteve.