Rektori dhe prorektorja e AAB-së zhvillojnë takime në Ambasadën e Francës në Kosovë

11 Prill 2025

Rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri dhe prorektorja për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Bashkëpunim Venera Llunji, zhvilluan një takim zyrtar dhe miqësor me Shkëlqesinë e Tij Ambasadorin e Republikës së Francës në Kosovë, z. Olivier Guérot, si dhe me Atasheun për Bashkëpunim dhe Kulturë në Ambasadën Franceze, z. Édouard Mayoral.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë dhe miqësor ndërmjet Kolegjit AAB dhe Ambasadës Franceze, me synim zhvillimin e mëtejshëm të aktiviteteve të përbashkëta në Këndin Francez “Bistro Montmartre” në ambientet e Kolegjit AAB. U propozuan një sërë aktivitetesh të përbashkëta kulturore, artistike dhe akademike, që do të kontribuojnë në promovimin e gjuhës dhe kulturës franceze në Kosovë, si dhe në thellimin e lidhjeve ndërinstitucionale.

Gjithashtu, u diskutua për zgjerimin e bashkëpunimit akademik me universitete të ndryshme franceze, për realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe shkencore, si dhe për mundësitë e vazhdueshme të shkëmbimit të studentëve dhe stafit akademik. Një ndër pikat kryesore të diskutimit ishte edhe ofrimi i bursave nga qeveria franceze për studentët e Kolegjit AAB, si pjesë e përkushtimit për mbështetjen e ekselencës akademike dhe mobilitetit ndërkombëtar.

Takimi përfundoi me dakordim për hapat konkret që do të ndërmerren në të ardhmen e afërt, për realizimin e iniciativave të përbashkëta dhe forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kolegjit AAB dhe Ambasadës Franceze në Kosovë.

Share: