Savonia University of Applied Sciences nga Finlanda dhe AAB në rrugë për bashkëpunim të ngushtë në shumë fusha e programe

6 Dhjetor 2019

Listës së institucioneve partnere të Kolegjit AAB, nga shumë vende evropiane e më larg, së shpejti pritet t’ i shtohet edhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara Savonia, nga Finlanda.

Me qëllim të inicimit të projekteve bashkëpunuese me universitetin finlandez Savonia nga Kuopio, në Kolegjin AAB qëndruan për vizitë, znj.Virpi Laukkanen, zëvendës-rektore për Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Savonia University of Applied Sciences dhe znj. Ardita Jahja-Hoxha, ligjëruese dhe eksperte në të njëjtin universitet.

Ato u pritën nga Prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Kolegjin AAB, prof.ass.dr. Venera Llunji, me të cilën biseduan për fillimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve përmes programeve dhe projekteve të shumta. Në këto bashkëpunime do të përfshihen studentë dhe mësimdhënës të fushave të ndryshme, si: teknologji informative, shkenca sociale, shkenca shëndetësore, biznes, turizëm dhe hotelieri, resurse natyrore dhe kulturë. Ndërsa në programin e kulturës do të jenë të përfshira programet e artit dhe dizajnit të modës si mundësi për të interesuarit.

Të gjitha këto do të jenë pjesë e studimeve bachelor përderisa në studimet e nivelit Master përfshihen fusha si: Shëndeti digjital (Digital Health) e që është një fushë e re dhe shumë e kërkuar në Evropë ditëve të sotme dhe Inxhinieri të energjisë e që ngërthen edhe çështje ambientaliste.

Kolegji AAB si institucion i arsimit të lartë, i hapur dhe i gatshëm për bashkëpunim të mirëfilltë do të jetë i gatshëm të bashkëpunojë ngushtë me universitetin finlandez në të gjitha fushat dhe programet që do të jenë në interes të studentëve tonë duke përfshirë projektet me Erasmus+, Tempus dhe projekte e aktivitete të tjera të vlefshme.

 

 

Share: