Sot është shënuar Dita Ndërkombëtare e Radios, me këtë rast u shfaq edhe premiera e filmit dokumentar për radion, i realizuar nga Fakulteti i Komunikimit Masiv, përmes të cilit u tregua historiku dhe roli i radios ndër vite.
Po ashtu, për radion dhe rolin e saj u diskutua bashkë me gazetarët/moderatorët më të njohur të ditëve tona në radiot e Kosovës, studentë e alumni të Kolegjit AAB.
“Ne jemi vazhdimësi e punës së kolegëve tanë, mirëpo sot ka ndërruar mënyra e të bërit radio. Sot ne flasim dhe ju flisni, të gjithë kanë të drejtë të japin dhënë mendimin.”, tha Robert Bojaj drejtues i emisionit “n’Frekuencë” në A-Radio.
Ndërsa Behare Bajraktari, nga Radio Kosova tha se rritja e numrit të radiove në vendin tonë, ka bërë që të rritet konkurrenca dhe kjo na bën të punojmë më shumë dhe të sjellim diçka të re.
Nga ana tjetër, Gent Efendia nga Radio Glam, foli edhe për rolin dhe efektin e radios edhe në aspektin e marketingut. Ai theksoi se radio është një mundësi shumë e mirë e reklamimit dhe se pavarësisht formateve të reja, radio vazhdon të dëgjohet.
Në Ditën Ndërkombëtare të Radios, Fakulteti i Komunikimit Masiv, ndau një mirënjohje post-mortum, për gazetarin dhe moderatorin e njohur të radios në Kosovë, Hivzi Krasniqin. Me këtë rast, familja e të ndjerit Krasniqi, falënderuan Kolegjin AAB për nderimin e veprës dhe punës së Krasniqit.