Shfaqja “Bretkosa”, sjell në skenën e Teatrit Kamertal të AAB-së aktualitetin e vendit tonë

27 Dhjetor 2018

Shfaqja teatrale “Bretkosa”, me regji të Burbuqe Berishës dhe me aktorët, Ilir Tafa, Donat Qosja, Basri Shala dhe Valmir Krasniqi, e cila u dha premierë mbrëmë në Teatrin Kamertal në hapësirat e Kolegjit AAB, u mirëprit jashtëzakonisht mirë nga publiku.

Regjisorja e shfaqjes Burbuqe Berisha në konferencë për media tha se shfaqja “Bretkosa”, trajton tematika të ndjeshme dhe një ballafaqim me realitetin që ka kaluar Kosova që nga mbarimi i luftës. Ajo gjithashtu shtoi se kjo shfaqje nuk duhet humbur sepse ka të bëjë pikërisht me gjendjen aktuale në vend.

“Shfaqja është rikthyer për jetën social-politike të Kosovës, për traumat e pas luftës të njerëzve të thjeshtë, të atyre që kanë sakrifikuar shumë dhe në fakt që ballafaqohen me një realitet që nuk e kanë pritur pas luftës. Shfaqja ka si temë kryesore vetminë, një njeri të vetmuar në një hapësirë të madhe urbane siç është Prishtina, i cili në disa versione të ndryshme ka ndryshime të tipit të karakterit”, u shpreh regjisorja Burbuqe Berisha.

Ndërsa, aktori në rolin krysor të shfaqjes “Bretkosa”, Ilir Tafa, theksoi se kjo shfaqja i ka krijuar emocione të forta si gjatë provave, ashtu edhe në natën e premierës. Ai gjithashtu shtoi se qëllimi i aktorëve dhe i regjisores që kjo shfaqje të përcillet dhe të kuptohet drejt edhe tek audienca, është arritur.

“Mendoj që shfaqja e ka arritur qëllimin, aty ku ka dashur edhe regjisorja, karakteret janë ndërtuar shumë mirë, është një lojë pak më ndryshe se sa jemi mësuar të shikojmë pasi që luhet në skenë të vogël dhe skena e vogël për aktorë është nganjëherë më e vështirë por është edhe më e mirë pasi që publikut nuk i ikë asgjë pa vërejtur ndërsa skena më e madhe është më ndryshe”, u shpreh aktori Tafa.

Ai potencoi se janë bërë plot tetë vite që nuk ka interpretuar në ndonjë shfaqje teatrale në Kosovë dhe se arsyeja pse ka vendosur të luaj në këtë shfaqje është ngjarja që zhvillohet në të, duke përfshirë këtu pjesë emocionale, psikologjike, etj…

Ndërsa, aktori tjetër i shfaqjes “Bretkosa”, Donat Qosja tregoi për sfidat gjatë realizimit të kësaj pjese teatrale. 

“Po mendoj që skenaristi në këtë rast, ka bërë një punë të jashtëzakonshme me skalitje të karaktereve dhe e ka shkruajtur aq mirë sa që na ka lehtësuar punën, pastaj edhe puna jonë ka qenë më e thellë brenda këtyre karaktereve. Nuk ka qenë shfaqje e lehtë për t’ u punuar, kemi kaluar kriza të ndryshme brenda saj, por finalizimi ka qenë ashtu si kemi dashur”, u shpreh aktori Qosja.

Pas premierës së mbrëmshme e cila rezultoi si shumë e suksesshme, shfaqja “Bretkosa”, vjen edhe sonte në Teatrin Kamertal AAB, nga ora 20:00.

Share: