“Diplomacia bashkëkohore dhe mediat”, është libri shkencor i ri i autorit Burim Etemaj.
Ky libër është botuar nga Shtëpia Botuese e Kolegjit AAB. Libri është i ndarë në dy kapituj themelorë. Në kapitullin e parë është bërë një parashtrim i Diplomacisë bashkëkohore, ku përfshihet përkufizimi i këtij nocioni, prezentimi i rrethanave që ndikuan në paraqitjen e Diplomacisë bashkëkohore, dallimet dhe ngjashmëritë e Diplomacisë bashkëkohore dhe llojeve të tjera të diplomacisë, si dhe parashtrimi i dy anëve të Diplomacisë bashkëkohore.
Në kapitullin e dytë, trajtohet tema Diplomacia bashkëkohore dhe mediat, ku shqyrtohet partneriteti i Diplomacisë bashkëkohore me mediat dhe ndërlidhshmëria midis tyre, me një vëmendje të posaçme kushtuar mediave si vazhdim i diplomacisë me mjete të tjera, e në këtë kuadër edhe roli i mediave, veçanërisht roli korrektues i tyre, ndaj Diplomacisë bashkëkohore.
Një qasje e veçantë i kushtohet medieve sociale në kuadër të Diplomacisë bashkëkohore. Natyrisht, krejt në fund janë parashtruar arritjet e këtij studimi, si përfundime. Në të vërtetë, këtu është bërë një lloj përmbledhje e shkurtër, me disa aspekte shtesë, të cilat duhen marrë në konsideratë në kontekstin e Diplomacisë bashkëkohore.