Sonte, në natën e katërt të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove në Kosovë, “Prishtina International Theater Festival 2017″ (PITF 2017), në AAB Teatrin ‘Faruk Begolli” do të jepet shfaqja “Speak Medea”, me ekipën e saj nga Irani, nën regji të Mehdi Sheikhvand, ku luajnë aktorët: Clara Corona, Darya Nazari, Fatemeh Abrishami Movahed dhe Vida Gharagozlou.
Në konferencën sotme për media, drejtoresha artistike e PITF 2017, Burbuqe Berisha, tha se pjesëmarrja e kësaj shfaqje në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove në Kosovë, “Prishtina International Theater Festival 2017″, tregon seriozitetin e këtij festivali me shfaqje edhe nga Irani.
Ndërsa aktorja e shfaqjes “Speak Medea”, Clara Corona e cila jeton në Iran, ndërsa është me prejardhje nga Italia, për realizimin e kësaj shfaqje thotë se kanë pasur vështirësi të shumta, por që është shumë e kënaqur me suksesin që ka arritur, duke u prezantuar edhe në festivale nëpër vende të ndryshme të botës.
Sa i përket Kosovës, ajo thotë se në Iran nuk kanë pasur aq informacione për këtë vend, mirëpo, shprehet ajo, me të ardhur këtu, ka fituar përshtypjen se në njerëzit këtu e duan shumë teatrin dhe artin në përgjithësi.
“Përshtypjet e mija të para, pasi kam ardhur këtu, janë shumë pozitive për këtë vend”, shprehet Corona.
Ajo për gazetarët zbuloi edhe detaje të shfaqjes duke u treguar për karakterin e personazhit të cilën ajo luan, pra rolin e Madeas.
“Ky version i Medeas është shumë më ndryshe, pasi që vjen nga një pikëpamje feminste”.
Edhe regjisori i shfaqjes, Mehdi Sheikhvand, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në këtë konferencë për media lidhur me këtë shfaqje.
Ai tha se kjo shfaqje tregon karakterin e një gruaje e cila vuan nga keqtrajtimi dhe se nuk e prezanton vetëm gruan iraniane, por të gjitha gratë e botës.
Për më shumë informacione rreth programit të festivalit, klikoni linkun zyrtar: http://www.teatriaab.com/pitf/programi