Kolegji AAB përveç aktivitetit akademik e shkencor që zhvillon tash e pothuaj dy dekada, duke u pozicionuar kështu institucioni lider në fushën e arsimit të lartë jopublik jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon, gjithmonë ka qenë para të tjerëve edhe me aktivitetet kulturore e artistike që zhvillon në kuadër të veprimtarisë së vet.
Krahas ekspozitave, koncerteve, promovimeve të librave e performanave të ndryshme artistike që janë zhvilluar deri tani, këtë vit Kolegji AAB ka vendosur që të gjitha këto aktivitete t’ i përmbledhë bashkë, duke i shndërruar to në një Festival të Arteve e Arkitekturës.
Ndonëse për herë të parë në këtë format festivali, Prishtina Architecture and Arts Festival, ka arritur të kalojë kufinjtë lokalë duke u bërë qysh në edicionin e parë festival ndërkombëtar i studentëve, me pjesëmarrjen e shkollave të arteve edhe nga Italia, Sllovenia, Turqia, Shqipëria e Maqedonia.
Pra, Prishtina Architecture and Arts Festival, PAAF 2018, do të nisë sonte, në Kolegjin AAB, nga ora 18.00, dhe do të zgjasë për tre ditë rradhazi, deri më 05 maj 2018.
Hapja solemne do të bëhet me performancën dhe prezantimin e kreacioneve të studentëve të Fakultetit të Dizajnit të Modës dhe të Shkollës Profesionale Gjermane, kreacione që janë mentoruar nga Krenare Rugova.
Ekspozita e studentëve të arteve që poashtu do të hapet sonte në ambientet e Kolegjit AAB përmbledh punimet më të mira të studentëve nga arkitektura, dizajni grafik, piktura dhe punimet më të mira nga konkursi i branding.
Në seksionin e filmit do të shfaqen pesë filmat e parë pjesëmarrës të zhanrit të shkurtër dhe dokumentarë nga shkollat e filmit të Universitetit të Lubjanës – Slloveni; Akademisë së Arteve Skenike të Universitetit të Sarajevës – Bosnjë e Hercegovinë; Universitetit të Arteve nga Shqipëria; Fakultetit të Arteve të Universitetit Shtetëror të Tetovës – Maqedoni dhe natyrisht Fakultetit të Komunikimit Masiv të Kolegjit AAB.
Në kudër të festivalit PAAF 2018, i cili në këtë edicion zhvillohet nën temën The sound of place, ditën e dytë do të zhvillohet konferenca e arkitekturës, me pjesëmarrjen e folësve kryesorë nga Italia, Sllovenia, Turqia, Shqipëria, Maqedonia e Kosova.
Veçanti e PAAF 2018 do të jetë edhe koncerti i muzikës akuzmatike, me kompozitoren Donika Rudi, mësimdhënëse në Fakultetin e Muzikologjisë në AAB, i cili do të mbahet të premten, më 04 maj, në ditën e dytë të festivalit.
Në ditën e fundit të PAAF 2018, të shtunën, pjesëmarrësit e festivalit do të kenë mundësi të ndjekin programin në terren, i cili ka për qëllim promovimin e vlerave kulturore e arkitektonike të vendit tonë.