Gjatë muajit qershor në Tuzing të Gjermanisë zhvilloi punimet Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Rezistenca dhe Identiteti”, organizuar nga Akademia për Arsim, Edukim dhe Politikë, Universiteti Ludwig Maximilian i Münichut, Universiteti i Bremenit, dhe Instituti Shkencor për Evropën Lindore dhe Jug-Lindore në Gjermani, dhe e përkrahur nga Ministria e Arsimit të Gjermanisë.
Në këtë konferencë mori pjesë edhe profesori i AAB-së, prof. dr. Dashnim Ismajli, i cili përveç prezantimit të temës shkencore “Shtetndërtimi dhe demokratizimi i Kosovës 2000 – 2012”, ka prezantuar edhe rreth sektorit të edukimit dhe arsimit në Kosovë, me theks të veçantë ka prezantuar AAB-në, nga fillimi i punës së saj e deri në ditët e sotshme. Ai ka thënë se AAB-ja është një institucion universitar bashkëkohor, një shembull për cilësi dhe shërbimet që ofron, si konkurrent serioz në fushën e arsimit dhe shkencës edhe për vendet rajonale.
Në temën e tij shkencore “Shtetndërtimi dhe demokratizimi i Kosovës 2000 – 2012”, z. Ismajli ka paraqitur faktorët eksternë dhe internë, si dhe bashkëveprimin e tyre në shtetndërtim, sfidat që po kalon shoqëria e pas konfliktit në Kosovë, si dhe zhvillimin dhe perspektivën e vendit duke pretenduar integrimin në familjen e shteteve perëndimore.