Për të dytin vit me radhë Kolegji AAB, përkatësisht Fakulteti i Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë bëhet pjesë e kampanjës globale kundër ekstremizmit “Facebook Global Digital Challenge”.
Bëhet fjalë për një bashkëpunim në mes të Departamentit Amerikan të Shtetit, kompanisë së marketingut Edventure Partners dhe Facebook-ut. Studentë nga universitete amerikane dhe jo amerikane sfidohen që të dizajnojnë një kampanjë dhe ta zbatojnë atë në rrjetet sociale me qëllim kundërshtimin e ekstremizmit fetar. Pikërisht këtë e ka bërë edhe grupi i studentëve të AAB-së duke krijuar kampanjën “United for Peace” e cila në vetvete është një thirrje që i drejtohet të rinjve kosovarë për të qëndruar të bashkuar rreth paqes.
“Studentët dhe të rinjtë kanë qenë gjithmonë një forcë lëvizëse e proceseve, në të mirë të shoqërisë. Edhe në këtë rast grupi i Kolegjit AAB “United for Peace” ka targetur ata të rinj të cilët për një arsye apo tjetër qëndrojnë të heshtur përballë rrezikut nga ekstremizmi fetar”, tha Arta Berisha, koordinatore e projektit për Kosovë.
Janë disa aktivitete që grupi i Kolegjit AAB “United for Peace” do t’i organizojë për të realizuar misionin e vet. Por thelbësore, janë pikërisht të rinjtë e suksesshëm të cilët i janë bashkuar kësaj kampanje me sukseset e tyre, mesazhe këto për mundësinë e një të ardhme të ndritur në Kosovë dhe për Kosovën.