Studentët e AAB-së vizituan Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim “Xheladin Deda” në Pejë

16 Dhjetor 2019

Studentët anëtarë të Klubit të Debatit, të Fakultetit të Shkencave Sociale, programi Përkudesja dhe Mirëqenia e Fëmijve të Kolegjit AAB, së bashku me prof.ass.dr.Violeta Buza vizituan Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim “Xheladin Deda” në Pejë.

Ata u pritën nga drejtori i Qendrës Xhevat Kastrati dhe mësimdhënësit e tjerë.

Kjo qendër ofron mësim për personat me nevoja të veçanta me dëmtime të shumëfishta, e në veçanti për personat me dëmtime në të parë dhe me shikim të humbur plotësisht.

Mësimi zhvillohet njëjtë si në gjithë shkollat e Kosovës, por duke u përshtatur për nevojat e secilit nxënës. Niveli i shkollimit fillon nga klasa parashkollore deri në përfundim të shkollës së mesme të lartë.

Gjatë vizitës studimore, studentët patën rastin të vizitojnë dhomën e errët, sallën e edukatës fizike, kabinetin e artit, kabinetin e muzikës dhe disa nga klasat ku nxënësit vijojnë mësimet.

Mësimdhënësi i Edukatës Fizike, prof. Agim Bajrami, i informoi studentët për mjetet e nevojshme që i duhen një personi të verbër (shkopi i bardhë), dhe mjetet e nevojshme për zhvillimin e një orë mësimore: topi me zile, syzet dhe qetësia në sallë.

Studentët vizituan edhe kabinetet e lëndëve të artit, ku patën mundësinë të shohin nga afër mjetet e punës e instrumentet të cilat përdoren, por edhe të ndjekin punën e vijuesve të kësaj qendre.

Ata po ashtu vizituan një klasë ku vijojnë mësimin pesë fëmijë të klasave të përziera nga klasa e parë deri në klasën e pestë, të moshave të ndryshme. Mësuesja u tregoi studentëve, për punën individuale me secilin nga fëmijët dhe suksesin e arritur të tyre. Fëmijët mësonin me metoda të ndryshme, me tekste ku shkronjat ishin të zmadhuara sipas nevojës së tyre, përdorimin e kompjuterit për zmadhimin e shkronjave për fëmijët që kishin shikim të dobët, përdorimin e teksteve në alfabet Braill për fëmijët që kishin humbur shikimin në tërësi.

Vizita në Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim “Xheladin Deda” në Pejë, u vlerësua shumë e dobishme për studentët, ngaqë ata morën informacione të shumta për punën e realizuar me shumë përkushtim nga ana e personelit me qëllim që fëmijët të arrijnë shumë sukses në të gjitha fushat brenda qendrës dhe inkuadrimin e nxënësve në shkollat e rregullta.

Share: