Sot, Fakulteti Ekonomik i Kolegjit AAB ka nënshkruar memorandum të mirëkuptimit me Ministrinë e Financave të Republikës së Kosovës, me qëllim të angazhimit të studentëve për të kryer punën praktike në këtë institucion dhe agjencitë që janë në varësi të kësaj ministrie.
Zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Agim Krasniqi, ka thënë se qëllimi i nënshkrimit të këtij memorandumi është promovimi i aftësimit profesional të studentëve.
“Ministria e Financave do të marrë në punë praktike pesë studentë çdo tre muaj, ose 15 studentë në vit nga Kolegji AAB”, theksoi ai.
Sipas tij, studentët që do të kryejnë punën praktike në baza tremujore do të jenë nga këto drejtime: të ekonomisë (të gjitha drejtimet), drejtimi juridik dhe shkencat kompjuterike.
“Kolegji vetë do ta bëjë përzgjedhjen e studentëve, dhe do t’i ofrojnë Ministrisë së Financave listën e përzgjedhur në çdo tre muaj. Përzgjedhja e studentëve duhet të bëhet në bazë të notës mesatare, si dhe duhet të kenë vitin e dytë të përfunduar të studimeve bachelor”, u shpreh Krasniqi, i cili konsideron se ky hap është bërë për të krijuar kushtet për zhvillimin e mëtutjeshëm të sistemit të Arsimit të Lartë në Kosovë.
Ndërsa u.d. dekani i Fakultetit Ekonomik të Kolegji AAB, Medain Hashani, tha se Ministria e Financave me këtë marrëveshje e tregon qasjen pozitive dhe jodiskriminuese ndaj institucioneve jopublik edhe se është një mundësi e mirë për studentët që njohuritë teorike t’i transferojnë edhe në praktikë.
“Ne do të bashkëpunojmë, siç kemi bashkëpunuar edhe më parë me Qeverinë e Kosovës, por me Ministrinë tuaj në veçanti. Ne do të dërgojmë studentë që me të vërtetë e meritojnë që ato aftësi teorike që i kanë absorbuar në Kolegjin AAB t’i realizojnë edhe në aspektin praktik”, u shpreh Hashani.
Marrëveshja u nënshkrua në ambientet e MF-së, Medain Hashani, u. d. dekan i Fakultetit Ekonomik të Kolegji AAB, dhe zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Agim Krasniqi.