Rreth 40 studentë të Fakultetit Ekonomik në Kolegjin AAB, po ndjekin trajnimin për zhvillimin e aftësive të buta (Soft Skills) i cili po realizohet në kuadër të Programit për ndërtimin e kapaciteteve dhe fuqizimin e të rinjve në karrierë.
Trajnimi po zhvillohet në bashkëpunim me OJQ “Entrepreneurship & Social Change Association” (ESCA), ndërsa ky trajnim po mbahet në AAB për herë të dytë.
Nga ky trajnim studentët do të marrin njohuri për hartimin e shkresave të rëndësishme që do t’ ju duhen gjatë tërë karrierës së tyre, e sidomos tani që së shpejti do të diplomohen. Aktivitetet që zhvillohen në kuadër të këtij trajnimi ndahen në tre module. Në modulin e parë aktivitetet lidhen me krijimin e biografisë personale CV-së, letrës motivuese, intervistës, shkresave zyrtare (raporteve) e-mailave; Moduli i II-të lidhet me Komunikimin në biznes, ndërsa i treti me qëndrueshmërinë dhe trendët globale.
Trajnimi zgjat tre ditë ndërsa do të përfundojë më 06 dhjetor 2019. Trajnimi pritet të organizohet edhe në dy degët e AAB-së në Gjakovë dhe Ferizaj.
Në përfundim të trajnimit, studentët pjesëmarrës do të certifikohen nga OJQ “ESCA” në bashkëpunim me Fakultetin Ekonomik të Kolegjit AAB.