Studentët e Fakultetit Ekonomik vizitojnë Zyrën Kombëtare të Auditimit

23 Dhjetor 2024

Në kuadër të lëndës “Kontabilisti në biznes”, Qendra e Karrierës ka organizuar një vizitë studimore në Zyrën Kombëtare të Auditimit për studentët e Fakultetit Ekonomik. Studentët u shoqëruan nga udhëheqësja e Qendrës për Karrierë Jehona Rukovci dhe profesori Remzi Smajli. Ata u mirëpritën nga auditorja e përgjithshme Vlora Spanca, që ndau informacione për strukturën dhe organizimin e institucionit të Auditorit të Përgjithshëm.

Gjatë vizitës, ndihmës auditori i përgjithshëm Ramadan Gashi, mbajti ligjëratë për studentët duke trajtuar temat si: Historiku i Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe kuadri kushtetues; roli i Auditorit të Përgjithshëm; subjektet e auditimit – organizatat buxhetore të Republikës së Kosovës; nivelet dhe fazat e auditimit; numri i auditorëve dhe auditimeve të planifikuara e të kryera; llojet dhe planifikimi i auditimeve; rekomandimet dhe rëndësia e tyre për sektorin publik, etj.

Kjo vizitë u dha studentëve një mundësi unike për të thelluar njohuritë e tyre praktike mbi auditimin publik, si dhe rolin e tij në garantimin e llogaridhënies dhe transparencës në institucionet publike.

Share: