Studentët e Fakultetit Juridik të AAB-së vizituan Kuvendin e Republikës së Kosovës

13 Dhjetor 2016

Studentët e vitit të dytë të Fakultetit Juridik të Kolegjit AAB, realizuan një vizitë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në kuadër të lëndës: Administrata publike, me qëllim të zbatimit të njohurive të marra nga lënda në fjalë.

Fillimisht studentët vizituan sallën e Kuvendit, ku mësimdhënësja Xhevahire Izmaku, deputete e Kuvendit të Kosovës, ata i ka njohur me formën e qeverisjes së shtetit dhe për pozitën dhe rolin e Kuvendit të Kosovës. Izmaku ka thënë se Kuvendi i Kosovës është institucioni më i lartë përfaqësues dhe ligjvënës i Kosovës. “Studentët ishin shumë të përgatitur dhe lanë përshtypje të jashtëzakonshme. Si nga fjalimet ashtu edhe nga pyetjet dhe përgjigjet e tyre”, ka thënë profesoresha e lëndës Xhevahire Izmaku .

Gjatë kësaj vizite, studentët e AAB-së, vizituan edhe dy grupet më të mëdha parlamentare, të dy partive politike në pushtet. Në grupin parlamentar të  PDK-së studentët u pritën nga kryetari i grupit, deputeti Zenun Pajaziti, ndërsa në grupin parlamentar të LDK-së studentët u pritën nga zëvendëskryetari Sali Morina.

Udhëheqësit e grupeve parlamentare u përgjigjen në pyetjet e shumta të studentëve të AAB-së, që kishin të bënim kryesisht me zhvillimet e fundit në të gjithë sektorët në vendin tonë, ndër to edhe për qytetin e Mitrovicës.

Në fund të vizitës studentët u shprehën se realizimi i këtij aktiviteti është një motivim për t’u marrë sa më shumë me studimin e lëndës së Administratës publike.

 

Share: