Studentët e Fakultetit të Gjuhës Angleze të Kolegjit AAB kryen një vizitë studimore në Drejtorinë për Standardizim, Përafrim dhe Harmonizim Ligjor në Kuvendit e Republikës së Kosovës, me qëllim që të informohen rreth procesit të përkthimeve të ligjeve të miratuara në Kuvend.
Gjatë vizitës, studentët u pritën nga zyrtarja e lartë e kësaj Drejtorie, Znj. Vjollca Sogojeva, e cila mbajti një ligjëratë të detajuar rreth karakteristikave të gjuhës ligjore, problematikave që hasin me terminologjinë ligjore gjatë përkthimit dhe aftësitë gjuhësore dhe jashtë-gjuhësore që duhet të këtë një përkthyes në mënyrë që të arrijë një përkthim cilësor. Ndër të tjera, znj. Sogojeva u shpreh se kjo ishte vizita e parë e këtij lloji në Kuvendin e Kosovës, ku studentët shprehin interes për t’u informuar rreth procesit të përkthimit të dokumenteve ligjore.
Studentët e pranishëm më pas vijuan me pyetje dhe diskutime në lidhje më rëndësinë e shërbimit përkthimor dhe mundësinë e një trajnimi më të detajuar në të ardhmen. Pas aktivitetit, studentëve iu dha mundësia të kryejnë një vizitë në Sallën e Vizitorëve në ambientet e Kuvendit, gjatë së cilës u njohën me historikun e tij.
Kjo vizitë shërben për të lidhur ura komunikimi me këtë Drejtori të Kuvendit të Kosovës për kryerjen e praktikës profesionale të studentëve të gjuhës angleze.
Studentët e Fakultetit të Gjuhës Angleze në vizitë studimore në Kuvendin e Republikës së Kosovës.