Studentët e Gazetarisë të Kolegjit AAB e përfaqësuan Kosovën në konferencën “Linking Business and Communication” në Shkup

21 Maj 2018

Tetë studentë të vitit të tretë të Gazetarisë të Kolegjit AAB suksesshëm përfaqësuan Kosovën në konferencën “Linking Business and Communication” që u mbajt ne Shkup.

Kjo konferencë ishte organizuar në bashkëpunim me programin ERASMUS+, Shkollën e Marrëdhënieve Publike dhe të gazetarisë nga Shkupi, DOBA Faculty dhe T.C. Istambul University.

Konferenca filloi me prezantimin e znj. Slavica Cicvarić Kostić nga Universiteti i Beogradit, e cila në këtë prezantim shpjegoi ndërlidhjen e komunikimit me marketingun, ku dha shembuj se si e arrijnë qëllimin e tyre kompanitë prodhuese, duke shfrytëzuar komunikimin e duhur me grupet e targetuara.

Ndërsa, z. Boris Hajoš nga Kroacia, në prezantimin e tij theksoi ndikimin e teknologjisë në organizimin e komunikimit strategjik, pa lënë anash shembuj qe tregonin sa është lehtësuar jeta nga zhvillimi i teknologjisë.

Në këtë konferencë, studentët e Komunikimit Masiv të Kolegjit AAB patën mundësinë të jenë pjesë e debatit që u zhvillua në fund të konferencës nga Nataša Ritanija (Universiteti i Sllovenisë), Dimitar Kovačevski (Universiteti i Maqedonisë) dhe Ljupčo Efremov (kompania GfK).

Temat e diskutimit të tyre ishin: Bashkëpunimi virtual dhe komunikimi online në mjedisin aktual të biznesit, Komunikimi efektiv biznesor në botën e kaosit, marketingu digjital dhe kalimi në epokën e transformimit digjital.

“Të njohësh ide të reja rreth PR-it e Marketingut, komunikimi për këto tema vërtetë na pasuron e na bënë më të informuar. E mira e gjithë kësaj konference është se kemi bashkëpunuar dhe shkëmbyer idetë tona pothuajse me të gjithë studentët nga rajoni”, tha Albulena Syla, pjesëmarrëse në këtë konferencë.

Në konferencën “Linking Business and Communication” morën pjesë me punimet e tyre edhe shumë figura të rëndësishme akademike nga vendet e rajonit dhe më gjerë.

Share: