Studentët e Fakultetit të Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë të Kolegjit AAB zhvilluan një vizitë në Open Data Kosova (ODK), organizatë jo qeveritare, projektet e së cilës përfshijnë rritjen e transparencës në proceset qeverisëse, duke hapur të dhënat e qeverisë me qëllim që të hedhet dritë mbi aktivitetet qeveritare.
Vizita në ODK në fund të semestrit ka qenë një mundësi e mirë për t’u njohur me punën dhe projektet e kësaj organizate.
Ekipin e studentëve të Fakultetit të Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë të Kolegjit AAB i priti zv.drejtoresha e ODK-së Dafina Olluri.
Ajo i njoftoi studentët se teknologjitë e reja ua mundësojnë gazetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile se si të jenë më efikas dhe të arrijnë tek një publik më i gjerë. Gjithashtu, zv.drejtoresha Olluri tha se përdorimi i duhur i të dhënave të hapura në shkrimin e artikujve hulumtues rrit edhe kualitetin e tyre, të cilën gjë sipas saj, nuk e hasim shumë në Kosovë.
Në anën tjetër, Arta Berisha, asistente e lëndës ‘Gazetari Hulumtuese’ në Fakultetin e Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë në Kolegjin AAB, e cila shoqëroi studentët e këtij fakulteti në këtë vizitë, e falënderoi zv.drejtoreshën Olluri për mundësinë e bashkëpunimit ku tha se studentët në kuadër të lëndës “Gazetaria Hulumtuese” kanë shfrytëzuar të dhënat e hapura nga ODK për të ndërtuar shkrime e tyre gazetareske.
Kujtojmë se Kolegji AAB si investimi më i madh në Kosovë e më gjerë në sferën e arsimit të lartë jopublik, ka marrëveshje bashkëpunimi një numër të madh të mediave si dhe me shumë organizata të tjera vendore dhe ndërkombëtare, në të cilat studentët e Fakultetit të Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë të këtij kolegji në vazhdimësi kryejnë praktikat profesionale.