Studentët e Infermierisë të Kolegjit AAB sot nënshkruan kontratat e para për punë në tregun gjerman

12 Tetor 2018

Marrëveshja e bashkëpunimit e nënshkruar muaj më parë nga Kolegji AAB me kompanitë partnere gjermane tashmë ka gjetur implementim edhe në praktikë.

Me një ceremoni solemne sot studentët e Fakultetit të Infermierisë të Kolegjit AAB nënshkruan kontratat e para të punës me partnerët gjermanë DKV Pflegedienste und Residenzen GmbH, respektivisht miCura Pflegedienste und Residenzen GmbH.

Në hapje të ceremonisë zëvendësrektori, prof.dr. Shemsedin Vehapi, tha se konkretizimi i nënshkrimit të këtyre 18 kontratave ka rëndësi të veçantë jo vetëm për Kolegjin AAB dhe studentët, por edhe për arsimin në Kosovën në përgjithësi.

“Rëndësia e parë është për ata që kanë nënshkruar kontratë dhe janë përfituesit e mundësisë që të sigurojnë punë në Gjermani. Përfituesi i dytë natyrisht që është AAB, sepse përfshirja e moduleve të harmonizuara me modulet gjermane i jep një vlerë të shtuar programit tonë të Infermierisë, dhe përfituesi i tretë natyrisht që është sistemi arsimor i Kosovës. Me këtë që po ndodh sot me studentët e AAB-së, sistemi ynë arsimor e fiton një ligjitimitet, e fiton një njohje nga një sistem arsimor i qëndrueshëm në Europë”, tha Vehapi.

Ndërsa, përfaqësuesja e kompanisë DKV Pflegedienste und Residenzen GmbH, Elke Brüggemann shtoi se Gjermania ka nevojë për studentë të tillë që të kontribuojnë në fushën e mjekësisë atje. Ajo gjithashtu bëri të ditur për studentët se kanë krijuar edhe dy kurse të reja që studentët do kenë mundësi të bëhen pjesë e tyre në muajt në vazhdim.

“Të dashur studentë dhe ju pjesëmarrës ne kemi nevojë pikërisht për këtë që po ndodh sot, por, më lejoni t’ ju kumtoj një lajm të ri: dje ne ia dolëm të krijojmë edhe dy kurse të reja te gjuhës, një kurs sa i përket përkujdesjes shtëpiake dhe një kurs për klinikë. Emrat dhe fillimi i kursit të gjuhës do të kumtohen së shpejti. Për ne është e rëndësishme sepse kompanitë tona kërkojnë studentë të aftë që pastaj edhe do të angazhohen në Gjermani”, tha Brüggemann.

Gjatë kësaj ceremonie të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit nga Bayerni, Benjamin Schaffirna dhe Michael Stier, të cilët thanë se janë ndarë jashtëzakonisht të kënaqur me studentët e Kolegjit AAB. Sipas tyre, guximi dhe motivimi që studentët e Infermierisë kanë treguar gjatë këtyre ditëve, i ka shtyrë ata që bashkëpunimi me Kolegjin AAB, të mos mbetet vetëm me nënshkrimin e këtyre kontratave.

Studentët e përzgjedhur që sot kanë nënshkruar kontratat e para të punës, punën e tyre do ta zhvillojnë në: Berlin, Düsseldorf, Hamburg, München dhe Nürnberg.

Ndërkohë, Programi i Karrierës dhe Punësimit i themeluar si rezultat i marrëveshjes për bashkëpunim në mes të Kolegjit AAB dhe partnerëve gjermanë DKV Pflegedienste und Residenzen GmbH, do të vazhdojë edhe më tej për të rekrutuar studentë të rinj të cilët janë të këkruar në tregun gjerman të punës.

 

Share: