Studentët e Kolegjit AAB të Fakultetit të Infermierisë, përveç përvojave që marrin nga ligjëruesit vendor e ndërkombëtar gjatë ligjëratave, tani e tutje do të mund të shfrytëzojnë edhe mundësinë e bashkëpunimit të Kolegjit AAB me Spitalin Amerikan në Prishtinë.
Kjo u bë e mundur pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit nga ana e zv.rektorit të Kolegjit AAB, Shemsedin Vehapi dhe drejtorit të Spitalit Amerikan, Igli Larashi.
Marrëveshja parasheh kryerjen e praktikës profesionale të studentëve të Infermierisë, në klinika të ndryshme mjekësore të Spitalit Amerikan, ndërsa po ashtu kjo marrëveshje siguron edhe mundësi të zhvillimit profesional të stafit të Spitalit Amerikan por edhe të Kolegjit AAB.
Studentët e Fakultetit të Infermierisë të AAB-së, janë vlerësuar lart për përkushtimin e tyre nga shumë kompani gjermane, të cilat në vazhdimësi po rekrutojnë studentë të interesuar për të punuar në tregun shëndetësor gjerman.