Studentët e Kolegjit AAB u pritën nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta

10 Qershor 2019

Tiranë, 10 qershor 2019

Në përvjetorin e 141 të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në prag të kremtimit të 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka pritur në një takim një grup studentësh e profesorësh nga të gjitha trevat shqiptare, të Kolegjit AAB nga Prishtina.

Presidenti Meta, u tha studentëve se rinia duhet të jetë promotore e proceseve demokratike dhe integruese në të dy vendet tona dhe se është shumë e rëndësishme që Shqipëria e Kosova të forcojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat.

“Është tejet i rëndësishëm, arsimimi, edukimi dhe formimi i të rinjve me sa më shumë aftësi, por njëkohësisht edhe demokratizimi i shoqërive tona, rritja e besimit që ato standarde evropiane t’ i kemi në vendet tona, sepse kemi një avantazh shumë të madh krahasuar me vendet e zhvilluara të Evropës, sepse kemi shumë rini”, tha Meta. Ai theksoi se të rinjtë e Kosovës dhe të Shqipërisë kanë shumë punë për të bërë drejt krijimit të një shteti më funksional për Kosovën dhe Shqipërinë.

Ndërsa rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, tha se Kolegji AAB me angazhimin e tij tashmë 18 vjeçar, po kontribuon në arsimimin e studentëve të të gjitha trevave shqiptare pa dallime. Ai e njoftoi presidentin Meta për veprimtarinë e Kolegjit AAB, the theksoi se Shqipëria vazhdon të mbetet dashuria e madhe e Kosovës dhe se ne gëzohemi për çdo sukses të Shqipërisë, ashtu siç mërzitemi edhe kur punët nuk shkojnë ashtu siç duhet.

Edhe studentët pjesëmarrës në këtë pritje shprehën falënderimet e tyre, ndërsa e vlerësuan lart këtë takim me presidentin Meta. Ata i bënë thirrje presidentit Meta, që ta vizitojë edhe Kolegjin AAB.

Presidentit Meta, në emër të studentëve dhe stafit akademik, iu dhurua edhe simboli i Prishtinës “Hyjnesha në fron”.

 

 

Share: