Në kuadër të punës praktike nga lënda “Ekzekutimi i sanksioneve penale”, studentët e nivelit Master në Kolegjin AAB realizuan një vizitë studimore në Burgun e Lipjanit, të premten, më 25 prill 2025.
Studentët, të udhëhequr nga Prof. Asoc. Dr. Veton Vula, u pritën nga stafi i institucionit, në krye me Drejtorin e Burgut të Lipjanit, z. Ylber Topalli. Gjatë vizitës, ata u njohën nga afër me mënyrën e trajtimit të personave të burgosur, si dhe me proceset e riedukimit dhe risocializimit të tyre.
Në kuadër të vizitës, studentët patën mundësinë të vizitojnë edhe Qendrën Korrektuese për të Mitur, ku u pritën nga Drejtoresha znj. Ardita Blakaj. Ata u informuan mbi programet rehabilituese dhe edukative që zhvillohen për të miturit në këtë qendër, duke fituar njohuri të drejtpërdrejta mbi sfidat dhe praktikat në fushën e ekzekutimit të sanksioneve penale.
Kjo vizitë studimore synoi të forcojë lidhjen midis teorisë dhe praktikës, duke ofruar një përvojë të rëndësishme profesionale për studentët e Kolegjit AAB.