Studentët të cilët tregojnë rezultate të suksesshme gjatë studimeve, Kolegji AAB iu ofron hapësirën që të rriten profesionalisht dhe të jenë pjesë e stafit. Qamile Elshani, e cila është në vitin e parë të studimeve në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike të Kolegjit AAB, në drejtimin e Programimit, tani është punësuar pas përfundimit të trajnimit ku tregoi potencialin dhe aftësitë e saj në këtë fushë.
Ajo mori pjesë në trajnimin “Krijimi i një web-aplikacioni (e-commerce) me NetCore 6 dhe Entity Framework Core”, nga Nusret Bilallaj, ku u certifikua e më pas filloi praktikën deri në punësim, nga Zyra për Zhvillim Softuerik e Kolegjit AAB.
Qamilja tha se angazhimi i saj në trajnime të shumta dhe dëshira rreth programimit tashmë iu ka shpërblyer, derisa shtoi se ligjëratat në këtë fillim të studimeve i kanë ndihmuar që t’i zbatoj njohuritë e fituara edhe në punën që ka tani.